
Poezia, muzika dhe kujtesa u bashkuan në një prej lagjeve të vjetra të Shkodrës. Edicioni i pestë i Festivalit Letrar “Gegnisht” u zhvendos këtë herë në oborrin e banesës së Kolë Mjedës, duke e kthyer hapësirën në një skenë të veçantë për letërsinë dhe kulturën.
Përmes poezisë dhe muzikës, festivali solli në vëmendje jo vetëm krijimtarinë bashkëkohore, por edhe lidhjen e saj me identitetin kulturor të qytetit.
Një moment i veçantë i mbrëmjes ishte zbulimi i pllakës përkujtimore në hyrje të banesës së Kolë Mjedës. Një gjest që synon të rikthejë në vëmendje një tjetër pjesë të trashëgimisë së Shkodrës.
Trashëgimtari i familjes, Nikolin Mjeda, thotë se synimi është që kjo banesë të ruhet dhe në të ardhmen të marrë statusin e monumentit të kulturës.
Në këtë mënyrë, “Gegnisht” mbylli edicionin e pestë duke ndërthurur artin me kujtesën. Një mbrëmje që solli letërsinë në një hapësirë me vlerë historike dhe riktheu vëmendjen tek trashëgimia kulturore e Shkodrës.


