Gazetari Simon Shkreli ka shkuar për të realizuar një kronikë për mbeturinat në liqenin e Shkodrës kur papritur ka parë në bregun e liqenit një sasi cannabis sativa.

I gjendur në këtë situatë të pazakontë menjëherë ka njoftuar policinë vendore të Shkodrës duke e informuar mbi sasinë e cannabisit. Pak metra më tutje ndodheshin disa thasë në të cilat dyshohej se ndodhej sasia e cannabisit.

Një prej dyshimeve është se ajo sasi e gjendur në breg mund të ketë marrë lagështirë ose mund të ketë rënë nga thasët që po ngarkoheshin.

Megjithatë këto janë ende dyshime ndërsa mbetet e paqartë se si cannabis është lënë në vendin e quajtur Vija e Vrakës mes Shkodrës dhe Malësisë së Madhe. M

enjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe një grup për të bërë ekspertizën. Efektivët pasi kanë parë vendin e ngjarjes kanë bërë të mundur asgjesimin e asaj sasie të cannabisit që mendohet se është rreth 3-4 kilogram.

Sipas burimeve policore dyshimet kryesore janë se droga është transportuar drejt shtetit fqinj të Malit të Zi përmes liqenit të Shkodrës.

Një prej banorëve të zonës jashtë kamerave tha për Star Plus se e gjithë Vija e Vrakës në liqen është e mbushur me cannabis dhe për ta nuk është ndonjë çudi e madhe sepse janë mësuar me atë pamje.

Të njëjtën gjë thonë edhe peshkatarët e zonës të cilët shpesh herë kanë parë sasi të cannabisit. Nga ana tjetër këto pjesë periferike të liqenit të Shkodrës mbeten shqetësuese sepse përdoren për të transportuar sasi të drogës nga Shqipëria në Malin e Zi.

Mungesa totale e kontrolleve të policisë ia bën më të lehtë punën trafikantëve të transportimit të drogës.

 

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakPËRFAQËSUESJA RAJONALE SHKODRA U-17 PRANË TITULLIT
Artikulli tjetërLËVIZTE ME ARMË NË QYTET, ARRESTOHET 32-VJEÇARI