Policia gjermane ka arrestuar 211 persona, pasi qindra protestues, mbështetës të lëvizjes anti islamizimit Pegida vandalizuan ndërtesta e dogjën makina në tubimin e mbajtur në Lajpcig.

Ata kërkuan largimin e kancelares Angela Merkel, duke e fajësuar atë për gjithçka po ndodh në Gjermani që pas strehimit të një milion emigrantëve, një zemërim i shtuar pas sulmeve masive seksuale te Kelnit. Në pjesën më të madhe të saj protesta u zhvillua paqësore, por më pas një grup huliganësh rreth 250 perona, zbrazën inatin ndaj politikave me dyer të hapura të kancelares Merkel, duke thyer dritare, djegur makina dhe kazanët e plehrave. Ata hodhën fishekzjarre nëpër rrugë dhe i vunë flakën një ndërtese. Siç ndodh zakonisht, kundërshtarët e Pegidas mbajtën një kundërprotestë në të njëjtën kohë dhe sulmuan një autobus me aktivistët e ekstremit të djathtë. Gjermania është tronditur nga ngjarjet e Këlnit, dhe aktualisht kanë nisur sulmet kundër emigrantëve. Të dielën, në Këln, pikërisht në zonën në afërsi të katedrales rreth 11 klandestinë, nga Pakistani, Siria dhe Guinea u plagosën si pasojë e sulmeve agresive dukshëm hakmarrëse të gjermanëve ndaj refugjatëve. Në raportin zyrtar të autoriteve gjermane për ngjarjet e natës së ndërrimit të viteve, sulmuesit ishin pothuajse të gjithë të huaj dhe emigrantë të ardhur gjatë 2015 në Gjermani.