Gjermania lejon përdorimin e vaksinës AstraZeneca/Oxford kundër Covid-19, edhe për personat mbi moshën 65 vjeç. Gjermania nuk lejonte më parë këtë vaksinë për moshat mbi 65 vjeç pasi sipas autoriteteve nuk kishte të dhëna të mjaftueshme për të miratuar vaksinën për qytetarët e moshuar, por ka ndryshuar pozicionin e saj pas studimeve të fundit.

“Komisioni i vaksinave tani rekomandon vaksinën AstraZeneca edhe për njerëzit mbi 65 vjeç. Ky është një lajm i mirë për njerëzit e moshuar që po presin të marrin vaksinën. Të dhënat e reja tregojnë gjithashtu se vaksina është edhe më efektive kur doza e parë dhe e dytë administrohen brenda 12 javësh”, tha ministri i shëndetësisë, Jens Spahn.

Përveç Gjermanisë, bëhet e ditur se edhe Suedia gjithashtu ka dhënë rekomandimin e saj për vaksinën AstraZeneca/Oxford për Covid për njerëzit e moshës mbi 65 vjeç.