Qeveria federale gjermane dhe qeveritë e landeve duan të vënë nën kontroll shifrat me rritje drastike të infektimeve me Covid-19, duke vendosur kufizime masive të kontaktve gjatë gjithë nëntorit. Sipas ARD dhe agjencisë gjermane të lajmeve dpa në konsultimet me video midis kancelares Angela Merkel (CDU) dhe kryeministrave të landeve federale, kufizime të reja masive në jetën e përditshme do t’u vijnë qytetarëve nga e hëna e ardhshme, 2 nëntor.

Pas dy javësh – rreth 11 nëntorit – kancelarja dhe krerët e qeverive të landeve duan të diskutojnë përsëri, të vlerësojnë objektivat e arritura përmes masave dhe të bëjnë përshtatjet e nevojshme.

Në videokonferencën e Merkelit me kryeministrat e landeve po diskutohen dhe vendosen për momentin kufizimet specifike të kontaktit. Qëllimi është të frenohet deri në Krishtlindje numri i i rritur në mënyrë masive i infektimeve.

Kufizime drastike të kontaktit

Sipas pjesëmarrësve, aktivitetet, që i shërbejnë argëtimit dhe kohës së lirë do të ndalohen në masë të konsiderueshme. Teatrot, operat dhe sallat e koncerteve duhet të mbyllen deri në fund të muajit. Sipas dpa, kufizimet prekin gjithashtu edhe kohën e lirë dhe sportet amatore; sportet individuale pritet të përjashtohen. Sporti profesionist në nëntor duhet të zhvillohet pa spektatorë. Kjo vlen edhe për Bundesligën e futbollit.

Qëndrimi i përbashkët në publik i lejohet vetëm anëtarëve të familjes vetjake dhe të një familjeje tjetër, me maksimumi dhjetë persona. Shkeljet e këtyre kufizimeve të kontaktit do të ndëshkohen nga autoritetet rregullatore.

Gatishmëri e madhe për t’i marrë masat

Sipas dpa, kryeministrat e landeve treguan që në krye vullnet për të marrë vendimet e nevojshme. Disa, si Kryetari i Bashkisë së Berlinit Michael Müller (SPD), i cili aktualisht po kryeson Konferencën e Kryeministrave, theksuan se ai dhe kolegët e tij do të donin që qeveria gjermane të jepte mbështetje për marrjen e një vendimit. Nga pjesëmarrësit u tha se tashmë ishte gjetur një konsensus për shumë pika në diskutimin e brendshëm paraprak të landeve.

Kryeministrja e landit të Mecklenburg-Pomeranisë Perëndimore Manuela Schwesig kërkoi mirëkuptim në parlamentin e landit në Schwerin për masa më të ashpra për të frenuar virusin Corona. Pa masa të mëtejshme paraprake, Mecklenburg-Pomerania Perëndimore do të arrinte nivelin kritik të 50 infektimeve të reja për 100.000 banorë brenda shtatë ditëve, më e vonta për dy javë, tha politikania e SPD.

Planifikohet ndihmë për bizneset e vogla

Sipas planeve të Ministrit të Financave, Olaf Scholz (SPD) dhe të Ministrt të Ekonomisë, Peter Altmaier (CDU), sipërmarrjeve që preken veçanërisht nga rregullat e reja të Coronas, federata mund t’i kompensojë një pjesë të madhe të qarkullimit të humbur. Scholz tha se kostoja për këtë mund të jetë shtatë deri në dhjetë miliardë euro, për katër javë.

Më konkretisht, bizneseve të vogla mund t’u rimbursohet deri në 75 përqind të xhiros së humbur, bizneseve më të mëdha deri në 70 përqind. Si masë orientimi do të shërbejë qarkullimi i të njëjtit muaj të një viti më parë, d.m.th. fillimisht nga nëntori 2019. Sipas informacionit të gazetës “Handelsblatt”, pagesat e bëra tashmë, si subvencionet për periudhën kalimtare ose shtesat për punë me orar të shkurtuar duhet të zbriten nga ndihma emergjente. Kryesisht bëhet fjalë për biznese në sektorin e hotelierisë ose turizmit.

Parashikohet që në vendime të përfshihet më fort edhe Bundestagu. Pasi përfaqësuesit e grupeve parlamentare të Bundestagut bënë thirrje që parlamenti të përfshihet në diskutimet për kufizimet e reja të ardhshme, kërkesa për një rezolutë të Bundestagut për një mbyllje të re po dëgjohet më fort edhe nga landet./DW