“Nëse do të ishte e mundur politikisht dhe gjendja e sigurisë e lejon, atëherë edhe Gjermania do duhet të ketë sërish një ambasadë të sajën në Kabul”, ka thënë ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas gjatë një vizite në Katar. “Ka një nevojë të madhe për prezencë diplomatike, sepse edhe ne kemi shumë tema në Afganistan”, theksoi Maas. Në këtë kontekst ai përmendi edhe përpjekjet për të nxjerrë nga vendi forca lokale që kanë punuar më parë për Bundeswehrin dhe qeverinë gjermane. “Me këtë temë do të merremi një kohë të gjatë. Prandaj kemi nevojë për kontakte.”

Heiko Maas theksoi, se hapja e ambasadës do të varej nga politika konkrete e talibanëve dhe gjendja e sigurisë. Vetëm pak vende aktualisht kanë ambasada në Kabul, mes tyre Rusia, Kina dhe Turqi. Heiko Maas theksoi, se një përfaqësi diplomatike nuk do të thotë njohje e qeverisë së talibanëve. “Këtë moment nuk bëhet fjalë për njohjen në anë të së drejtës ndërkombëtare”, por “për zgjidhjen e problemeve shumë konkrete.”

Minisitri i Jashtëm Maas përmbyll një udhëtim 5 ditor në Turqi, Uzbekistan, Taxhikistan, Pakistan dhe Katar. Në këtë udhëtim ai shikoi mundësitë e sjelljes në siguri të forcave lokale afgane, atyre që kanë mbrojtje dhe familjeve të tyre, pas largimit të trupave ndërkombëtare. Edhe kancelarja Merkel ishte shprehur të martën, se për çështjet humanitare do duhet të flasim me talibanët. “Nuk ka asnjë rrugë veç bisedimeve me talibanët”, theksoi Maas në Doha. Por nëse talibanët do të kërkojnë ndihma ndërkombëtare, duhet që ata të pranojnë edhe kushtet e bashkësisë ndërkombëtare. Për Gjermaninë këtu bën pjesë respektimi i të drejtave të njeriut, krijimi i një qeverie përfshirëse, garanci sigurie, si edhe respektimi i premtimit që pas tërheqjes së trupave ndërkombëtare njerëzit të mund të largohen nga Afganistani.

/DW