Kabineti gjerman zyrtarizoi atë që perflitej prej kohësh në media, ishte pohuar nga vetë kancelarja Angela Merkel dhe politikanë të tjerë vendas, e që priste dritën jeshile të ekzekutivit.

 

Paketa e ligjeve më të ashpra të azilit u miratua dhe tashme do të presë vetëm aprovimin e Dhomës së Lartë e të Ulët të Parlamentit gjerman, ku nuk parashikohen pengesa. 

Keshtu, Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi i janë shtuar kësisoj listës së vendeve të tjera ballkanike si vende të origjines së sigurtë. 

Nga ky moment, procedurat e azilit do të përshpejtohen dhe emigrantët të cilëve u mohohet kërkesa për azil pasi gjykohet se nuk kanë nevojë për mbrojtje, do të kthehen me urgjencë në vendet e tyre.

RUSIA MENDON BASHKIMIN NE KOALICION KUNDER ISIS

Rusia po merr në konsideratë t’i bashkohet koaliconit ndërkombëtar kundër shtetit islamik.

Presidenti rus Vladimir Putin pas takimit me presidentin amerikan Barack Obama tha se Moska zyrtare po shqyrton një vendim të tillë. Putin dhe Obama u takuan për rreth 90 minuta në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe sipas kreut të Kremlinit bisedimet ishin mjaft konstruktive dhe të sinqerta.

Një zëdhënës i qeverisë amerikane tha se presidenti Obama nuk po kërkonte të fitonte pikë në takim, dhe se dy presidentët kishin rënë dakord të mbanin hapur linjat e komunikimit sidomos mes dy ushtrive për të shmangur një konflikt ushtarak aksidental në rajon.

Obama dhe Putin u pajtuan edhe për gjetjen e opsioneve për zgjidhje politike në Siri, por ashtu si në fjalimet e tyre në asamblenë e OKB-së. 

Obama ka përsëritur qëndrimin e Uashingtonit, se Assad, duhet të largohet dhe se nuk ka rrugë për stabilitet në këtë vend të përfshirë nga lufta, me të në presidencë.

Dy presidentët kanë diskutuar edhe për krizën në Ukrainë, ku edhe për këtë çështje qëndrimet e shprehura hapur kanë qenë krejt të kundërta. Takimi kokë më kokë mes Obamës dhe Putin është i pari thuajse në dy vitet e fundit.