Në prag të takimit të ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel, qeveria gjermane ka reaguar ndaj propozimit të Francës për strategjinë e zgjerimit të BE-së.

Ministria e Jashtme gjermane është shprehur se reforma e zgjerimit të BE-së nuk duhet të vonojë çeljen e negociatave.

“I njohim sugjerimet e qeverisë franceze për reformën e zgjerimit të BE-së. Ne jemi të hapur për të diskutuar për përmirësimin e procedurave te zgjerimit për sa kohë që kjo nuk vonon çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut,” -thuhet në përgjigjen e ministrisë së Jashtme

Ministri i Jashtëm Maas e konfirmoi qëndrimin gjerman edhe gjatë vizitës së tij në Maqedoninë e Veriut, të mërkurën e kaluar.

‘BE tani duhet të mbajë fjalën e saj, sepse kushtet për fillimin e negociatave janë përmbushur. Vazhdimi i politikës së suksesshme të pranimit në BE dhe një zhvillim i qëndrueshëm afatgjatë i Ballkanit Perëndimor janë në interesin tonë strategjik’, – thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë.

Në dokumentin jozyrtar Franca propozon që procedura e anëtarësimit të kalojë në shtatë etapa. Për të kaluar nga njëra etapë në tjetrën vendi kandidat do të duhet të plotësojë një grup kushtesh.