Bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri propozon thirrjen e tryezës së grupit negociator të Këshillit Politik, ditën e Premte (12 Qershor), ora 11:00.

Në e-mailin e dërguar nga z.Gjiknuri për Z.Bylykbashi, zonjën Hajdari dhe z.Vasili thuhet se mbledhja duhet të trajtojë të gjitha temat e mbetura dhe të miratojë gjithë paketën e amendimeve që adresojnë marrëveshjen e arritur.

“Kjo bëhet edhe më e mprehtë nga nevoja për të kaluar të gjitha procedurat parlamentare deri në miratimin e saj në seancë plenare, duke pasuar edhe me zgjedhjen e organeve përkatëse brenda këtij sesioni parlamentar që mbaron në fund te Korrikut 2020.

Çdo vonesë në miratimin e ligjit dhe zgjedhjen e organeve të reja të KQZ do të rrezikojë fillimin e implementimit të teknologjisë për identifikimin elektronik në të gjithë vendin”, shkruhet në e-mailin e dërguar nga z.Gjiknuri.

Më tej, Gjiknuri shkruan se “temat e tjera që kemi vendosur t’i adresojmë të ndara nga Kodi Zgjedhor, mund t’i trajtojmë në një mbledhje tjetër pasi puna e këtij Këshilli do të vazhdojë sikurse është rënë dakord me trajtimin e çështjes së Sistemit Zgjedhor, Ligjit për Referendumet dhe Ligjit pë Financimin e Partive Politike”.