Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, ka reaguar ashpër pas raportimeve për përplasjet mes minatorëve të Spaçit dhe forcave të Policisë së Shtetit. Sipas tij, policia është urdhëruar nga drejtori Ilir Proda për të ndërhyrë kundër protestuesve që kërkojnë paga dhe kushte më të mira pune.
“Proda të ndalojë urgjentisht urdhrat ndaj Policisë së Shtetit për të dhunuar minatorët në Spaç. Ministria e Energjitikës duhet të zbresë menjëherë në terren!”, – deklaron Gjoni.
Deputeti shprehet se minatorët, përveç përballjes me drejtuesit e firmës turke, po përjetojnë edhe dhunë verbale e fizike nga strukturat e policisë.

“I bëj thirrje urgjente Drejtorit të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, të tërheqë forcat e Policisë nga miniera e Spaçit në Mirditë. Për dhunën ndaj minatorëve do të ketë pasoja ligjore”, – paralajmëron ai.
Gjoni kërkon që Ministria e Energjitikës të dërgojë një grup pune për të dëgjuar kërkesat e minatorëve dhe thekson se kjo situatë tregon edhe një herë nevojën urgjente për miratimin e Statusit të Minatorit.
“Burrat e nëntokës nga e gjithë Shqipëria meritojnë paga të dinjitetshme, kushte pune dhe pension të denjë”, – shton deputeti demokrat.
Në përfundim të reagimit të tij, Gjoni shprehet se nuk do të lejojë që zëri i minatorëve të shuhet dhe paralajmëron se të enjten në Parlament do të ngrejë çështjen e tyre. Ai kërkon gjithashtu që Policia e Shtetit të lirojë menjëherë minatorët e shoqëruar.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakTRUMP FIRMOS MARRËVESHJEN E PAQES PËR GAZËN
Artikulli tjetërKREU I BASHKISË SHKODËR BENET BECI TAKIM ME PRODUCENTIN E NOMINUAR PËR ÇMIMIN OSCAR HARVEY ASCOTT