Deputeti i Partisë Demokratike dhe ish-drejtuesi i lartë i sistemit të drejtësisë, Gjin Gjoni, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë ku u vra gjyqtari i Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Astrit Kalaja.

Në reagimin e tij, Gjoni e cilëson këtë akt si një “sulm të rëndë ndaj drejtësisë dhe shtetit ligjor”, duke theksuar se ngjarja tregon dështimin e institucioneve për të mbrojtur punonjësit e drejtësisë.

“Dora e krimit u ngrit mbi togën e zezë, duke i marrë jetën gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Astrit Kalaja, të cilin kam pasur nderin ta njoh personalisht gjatë punës sime në sistemin e drejtësisë.
Astrit Kalaja ishte një familjar e qytetar model, si dhe një gjyqtar me integritet të lartë, që i shërbeu ligjit me ndershmëri e përkushtim.”

Sipas Gjonit, kjo tragjedi është një pasqyrë e dështimit institucional për garantimin e sigurisë së përfaqësuesve të drejtësisë.

“Ky akt i rëndë nuk është vetëm një tragjedi personale për familjen Kalaja, por pasqyrë e thellë e dështimit të institucioneve në mbrojtjen e punonjësve të drejtësisë. Si ish-koleg dhe ligjvënës në Kuvendin e Shqipërisë e dënoj me forcë këtë akt barbar dhe kërkoj që autori të marrë ndëshkimin maksimal, si shembull për të gjithë.”

Deputeti demokrat shton se kjo ngjarje duhet të shërbejë si “sirenë alarmi” për situatën e sigurisë në vend dhe për rrezikun me të cilin përballen punonjësit e drejtësisë.

“Kjo ngjarje është një sirenë alarmi për situatën e sigurisë në sallat e gjyqeve dhe ndaj njerëzve të drejtësisë në veçanti, por edhe për nivelin alarmant të krimit në Shqipëri. Me këtë ngjarje të ndodhur në institucionin e drejtësisë, shteti ka rënë. Është koha që qeveria të marrë masa konkrete për sigurinë e gjyqtarëve dhe zyrtarëve të drejtësisë, sepse çdo sulm ndaj tyre është një sulm ndaj shtetit dhe ligjit.”

Në fund, Gjoni ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen e gjyqtarit të ndjerë:

“Ngushëllimet më të sinqerta për familjen. U prefsh në paqe, Astrit Kalaja.”

Artikulli paraprakAKSIDENT ME PASOJË VDEKJEN NË AUTOSTRADËN MILOT-THUMANË
Artikulli tjetërAKSIDENTI NË KURBIN, HUMB JETËN 43 VJEÇARI