Gjobat milionëshe, në gjyq dy “të fortët”, kërcënonin biznesmenët

Sadik Dinga dhe Ervis Alla janë dy “të fortët”, njëri nga Durrësi dhe tjetri nga Kruja, të cilët janë dërguar në gjyq nga Prokuroria e Krimeve të rënda me akuzën e gjobëvënies. Të dy këta persona akuzohen se kanë kryer veprën penale “shtrëngim me anë të kanosjes, ose dhunës për dhënie pasurie”, në bashkëpunim, në dëm të tre biznesmenëve në Tiranë dhe në Durrës. Ata vendosnin gjoba në shuma milionëshe duke i kërcënuar me jetën e tyre ose të familjarëve. Sadik Dinga, 27 vjeç, banues në Durrës, është i dënuar më parë për veprën penale “falsifikim monedhash”. Po kështu, sipas Prokurorisë, i pandehur është edhe shtetasi Ervis Alla, 29 vjeç, banues në Krujë, pronar i një mobilierie. Të dy personat e akuzuar janë arrestuar më 12 maj 2016 dhe dërgohen në gjyq në masën e sigurisë “arrest me burg”. Arrestimi i tyre ndodhi pikërisht gjatë gjobëvënies së tretë, kur biznesmeni që po kërcënonin për t’i marrë 5 milionë lekë të rinj denoncoi në Polici dhe bashkëpunoi me forcat e Rendit. Policia bashkë me biznesmenin e tretë të dëmtuar “inskenuan” dorëzimin e shumës së parave që kërkonin autorët, duke bërë kështu edhe kapjen e tyre në zonën e “Zogut të Zi”, në Tiranë. Këta persona me anë të mesazheve telefonike dhe thirrjeve në celular, por edhe me anë të letrave e në disa raste edhe kërcënimeve u kërkonin biznesmenëve shuma të mëdha parash. Gjobëvëniet Sipas Prokurorisë, hetimet nisën me metoda speciale pas kallëzimit të bërë nga biznesmeni me iniciale I.A., i cili denoncoi për gjobëvënie dy persona, pa përmendur emrat e të dyshuarve. Dosja u mor në dorë nga oficerët e Krimeve të Rënda, që identifikuan autorët e krimit dhe më tej akoma zbuluan se ata kishin vënë gjoba edhe ndaj dy biznesmenëve të tjerë në Tiranë dhe në Durrës. Të tria gjobëvëniet, sipas hetimeve, kanë ndodhur gjatë periudhës 28 prill-11 maj 2016. Arrestimi i dy personave të dyshuar mësohet se është bërë te “Zogu i Zi” në momentin që këta shtetas po përgatiteshin të merrnin shumën e 5 milionë lekëve të rinj nga personi me iniciale I.A., 59 vjeç, biznesmen i një shoqërie transporti ndërkombëtar mallrash. Ndaj tij kërcënimet kishin nisur që më datë 28.04.2016, ndërkohë, sipas Prokurorisë, nga veprimet hetimore të kryera gjatë kësaj periudhe me metoda speciale të hetimit ka rezultuar se këta shtetas kanë kryer veprën penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie” edhe ndaj shtetasit B.K., 60 vjeç, biznesmen në dhënien me qira të ambienteve të ndryshme, të cilit i është kërkuar shuma e 5 milionë lekëve të rinj. Dy personat akuzohen edhe për gjobëvënie ndaj shtetasit A.L., (biznesmen mobilier) në qytetin e Durrësit, të cilit i është kërkuar me anë të kanosjes shuma e 3 milionë lekëve të rinj në muajin prill 2016.

Artikulli paraprakSHEFI I SPIUNAZHIT KAHL:“HACKER”-AT RUSË RREZIKOJNË ZGJEDHJET NË GJERMANI
Artikulli tjetërNË QEVERINË E RE MALAZEZE KA SHQIPTARË POR JO SERBË