Gjykata për krime të rëndë ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasin Taulant Neçaj.

27 vjeçari akuzohet për veprën penale “shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, “kundërshtimit të punonjësit të policisë” dhe “shkatërrimit të pronës”. Neçaj dyshohet se përmes kërcënimit i ka kërkuar një shtetase nga Shkodra një shumë prej 10 mijë euro ose në të kundër do t’i publikonte disa foto intime të saj që kishte arritur t’i posedonte. Shtetasja e shantazhuar i është drejtuar policisë së Shkodrës. Në momentin kur shkodrania kishte për të dorëzuar paratë tek Zogu i Zi në Tiranë, policia përmes operacionit të koduar “Messenger” ka futur në kurth shtetasin Taulant Neçaj duke bërë të mundur arrestimin e tij.

Fillimisht Neçaj i ka shpëtuar policisë por vetëm në pak minuta pasi ka përplasur 4 mjete të tjera në kryeqytet është arrestuar. Masa e sigurisë “arrest me burg” u vendos pas kërkesës të prokurorisë për krime të rënda. Me 30 maj nga veprimet proceduriale, i dyshuari për “gjobvënie”, i cili deri në atë moment nuk ishte identifikuar, rezultoi se po qarkullonte me automjet “Tuareg” në zonën e “Don Boskos”, në drejtim të rreth-rrotullimit të “Zogut të Zi”, në Tiranë. Policia rrugore i ka kërkuar që të ushtrojë kontroll ndaj 27 vjeçarit por ky i fundit nuk i është bindur dhe ka lëvizur në krah të kundërt tek rrethrrotullimi i Zogut të Zi.

Menjëherë në ndjekje janë vënë forcat e Shërbimit të Forcës së Posaçme dhe Operacionale të cilat kanë bërë të mundur pas ndalimit të automjetit Tuareg, ndjekjes me këmbë kapjen dhe arrestimin në Rrugën “Pandi Dardha” të shtetasit Tauland Neçaj. Sipas prokurorisë për krime të rënda rezultoi se i dyshuari, duke filluar nga dt. 19 Maj 2017 ka tentuar të komunikojë në rrjete sociale me shtetasen nga Shkodra. Në mesazhet në rrjete sociale, rezulton se i dyshuari fillimisht i ka shkruar të dëmtuarës për njohje dhe më tej, e ka kërcënuar se, nëse nuk do t’i japë 10 mijë euro, ai do të publikojë disa foto intime të të dëmtuarës.

Pasi shkodrania ka referuar rastin në polici është bërë e mundur identifikimi dhe arrestimi i 27 vjeçarit. Pas arrestimit në flagrancë, nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda u krijuan dyshime të arsyeshme, në bazë të provave, që shtetasi Taulant Neçaj është personi që ka kërcënuar shtetasen nga Shkodra duke i kërkuar 10 mijë euro.

Artikulli paraprakRAMA NË GJIROKASTËR: T’I JAPIM FUND ‘BOSNJËZIMIT’ TË SHTETIT
Artikulli tjetërBASHA NË POGRADEC: FIJET E PUSHTETIT DO T’I KENË QYTETARËT