Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe Fakulteti Histori-Filologji zhvilluan sot një konferencë të përbashkët shkencore me temën “Presionet e gjuhës”.

Në këtë konferencë, gjuhëtarët dolën me propozimin e përbashkët për një ligj për gjuhën shqipe.

“Është dita për t’i bërë thirrje shtetit që të kujdeset për gjuhën, në radhë të parë, duke miratuar ligjin përkatës, i cili do t’u jepte zgjidhje shumë problemeve, duke krijuar një mjedis të pastër nga ndotjet gjuhësore dhe shkeljet e normave të gjuhës letrare”. Kështu u shpreh dekani i Fakultetit të Histori-Filologjisë, Sabri Laçi, gjatë Konferencës “Presionet e gjuhës”, organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe UT. Duke folur për rëndësinë e gjuhës, Laçi u shpreh se u takon institucioneve shkencore dhe gjithë studiuesve të shqipes, që të identifikojnë modele dhe të propozojnë zgjidhje efikase në të mirë të ruajtjes dhe zhvillimit të gjuhës amtare. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe drejtoresha e QKLL-së, Alda Bardhyli. Sipas saj, “në kushtet e një globalizmi të vazhdueshëm pasurimi, por dhe pastrimi të gjuhës, është një nevojë emergjente për të ruajtur ndjesinë e mrekullueshme të një shqipeje europiane, e cila nuk duhet lënë të dominohet nga konflikte të shoqërisë sonë”.

“Është detyra e shkencës, e gjuhëtarëve, pastrimi i gjuhës dhe mbrojtja e saj, njëkohësisht është edhe një detyrë kombëtare. Qendra do të mbështesë kërkime shkencore, me në fokus shqipen, dhe do t’i japë prioritet zërit të shkencës dhe gjuhëtarëve në projektet e saj”, tha Bardhyli. Gjuhëtari Xhevat Lloshi foli për një rënie të përgjithshme të kulturës, që reflektohet dhe në gjuhë. “Gjuha është tipari themelor i identitetit kombëtar, ajo luan një rol mjekues në jetën e shoqërisë. Kultura e një vendi mishërohet në kulturën gjuhësore”, tha prof. Lloshi. Për të, ndryshimet që ka pësuar shqipja janë një alarm për gjuhëtarët, mjafton të dëgjojmë se si të rinjtë flasin në telefon. Për shefin e Departamentit të Gjuhësisë, Shezai Rrokaj, gjuha duhet të jetë në vëmendje të vazhdueshme të shkencës.

“Nëse për gjuhët e tjera rreziku nga globalizmi është më i vogël në momentet e tanishme, sepse ato kanë qenë shoqëri të hapura ndaj tij më shpejt se ne e si rrjedhim gjuha e tyre është ndeshur më shpejt me këto probleme, për ne shqiptarët rreziku i shprishjes së gjuhës është aktual”, u shpreh prof. Rrokaj. Për Mimoza Koren, “në shtjellat e globalizmit gjuhët e popujve të vegjël janë më të rrezikuarat, prandaj haset një kontradiktë. Të gjithë duan të integrohen, por duke ruajtur identitetin kulturor dhe sidomos gjuhësor, madje edhe gjuhën e pakicave kombëtare, pra unifikim në diversitet. Kjo sfidë e re për shqipen është evidente në kushtet e trysnisë së anglishtes lingua franca e ditëve të sotme. Ne duhet të vazhdojmë me vendosmëri në rrugën e integrimit, por pa lënë mënjanë edukimin e rinisë me dashurinë për gjuhën amtare, sepse, siç thoshte z. Krispi: ‘Është gjuha e një kombi që ruan zakonet dhe doket e dyshohet se kombet ruhen ose shkatërrohen në atë masë që ruhet apo shkatërrohet gjuha”, tha Kore. Studiuesja Elona Gjata u shpreh se “gjuha shqipe kohët e fundit, gjendet përballë trysnisë së zhvillimit teknologjik të kohës, ku pjesë e këtij zhvillimi janë edhe mediet sociale. Përdorimi i saj në këto medie tashmë është kthyer në një nga sfidat më të mëdha me të cilat gjuha jonë po përballet.

Ajo po përballet me veten dhe vetveten. Nisur nga kontakti ynë i përditshëm me këto medie, të gjithë jemi në dijeni për mënyrën se si po përdoret shqipja. Gjithnjë e më shumë jemi duke u përballur me një gjuhë ku dominojnë akronimet e pastandardizuara, logogramet, emotikonat, përdorimi i fjalëve të huaja në vend të fjalës shqipe etj., duke të krijuar kështu idenë e një varianti të ri gjuhësor, unik në llojin e tij. Gjithashtu, në këtë lloj varianti të ri gjuhësor jemi duke u përballur edhe me një drejtshkrim të gjymtuar, ku shumë tinguj po asimilohen, duke e kthyer shqipen në një gjuhë gati fonematike, e shumë të tjerë po zëvendësojnë njëri-tjetrin”, tha Gjata. Në aktivitet morën pjesë dhe referuan Prof. Dr. Sabri Laçi, dekan i Fakultetit të Histori-Filologjisë, Prof. Dr. Shezai Rrokaj, përgjegjës i Departamentit të Gjuhës, Alda Bardhyli, drejtoreshë e QKLL-së dhe gjuhëtarë e studiues të gjuhës si Prof. Dr. Xhevat Lloshi, Prof. Dr. Mimoza Gjokutaj, Prof. Dr. Mimoza Kore, Prof. Dr. Aljula Jubani, Prof. Asoc. Dr. Lindita Xhanari, Dr. Elsa Skënderi-Rakipllari dhe Phd. Candid. Elona Gjata.