Paraditen e sotme ka dalë në Gjykatën e Durrësit, autori i vrasjes së Agim Arapit, i cili është dënuar me 5 vite heqje lirie. Sot që në orën 11:00, Gjykatësi Paulin Çera dha vendimin për një prej dy vëllezërve të akuzuar për vrasjen e Agim Arapit.

Kujtim Ekonomi, u dënua me 5 vite heqje lirie me akuzën e vrasjes nga pakujdesia. Më herët, prokuroria ndryshoi akuzën nga vrasje me paramendim, në vrasje nga pakujdesia, e cila është marrë parasysh nga Gjykata. Sot, me vendimin përfundimtar, Kujtimi u dënua vetëm me 5 vite burg, ndërsa vëllai i tij, Kostandini, u liria nga burgu 3 muaj pas vrasjes si i pafajshëm, dhëndri i tyre Jurgen Kurti, nuk u thirr asnjëherë në sallën e gjyqit as si dëshmitar. Në mbylljen e vendimit gjyqësor, bashkëshortja e të ndjerit Agim Arapi, tha se gjykata nuk mori parasysh as pamjet filmike që tregonin katërçipërisht, se në vrasjen brenda në dyqanin e saj merrnin pjesë tre persona, dy vëllezërit Ekonomi si dhe dhëndri i tyre, Jurgen Kurti.

Sipas Vjollca Arapit, Gjykata nuk mori parasysh as tabulatet telefonike për thirrjet e kryera nga Jurgen Kurti në drejtim të vjehrrit dhe vëllait të vjehrrit të tij pak minuta para vrasjes. Arapi u shpreh se Gjykata dhe Prokuroria janë të blera duke theksuar se çështjen do ta apelojë në shkallë të tjera të gjyqësorit, që autoret të marrin vendimin e merituar për vrasjen e bashkëshortit të saj.