Gjykata e Apelit në Shkodër ka lënë të lirë kryekomisar Saimir Rrustemin dhe katër punonjës të tjerë të policisë vendore të Shkodrës si dhe një shtetas tjetër. Apeli i Shkodrës rrëzoi në këtë mënyrë vendimin e shkallës së parë e cila pas arrestimit të kryekomisar Saimir Rrustemit vendosi masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Gjykata e Apelit përmes gjyqtares Valbona Vata vendosi zbutjen e kësaj mase në “detyrim paraqitje” duke liruar kështu nga arresti në shtëpi kryekomisar Saimir Rrustemin por edhe pesë punonjës të tjerë të policisë së Shkodrës. Në këtë mënyrë Apeli vendosi që të lirojë përveç efektivit Rrustemi edhe shtetasit Rezart Prela, Veronika Xhanaj, Luida Ujka dhe Mustafë Ishmaku që të gjithë punonjës policie në drejtorinë vendore të Shkodrës. Po ashtu Gjykata e Apelit në Shkodër zbuti masën e sigurisë nga “arrest shtëpie” në “detyrim paraqitje” edhe për dy shtetasit e tjerë Paulin Prendi dhe Armand Basha.

Nga 13 personat e dyshuar pas seancës në shkallën e parë pak kohë më parë, vetëm shtatë prej tyre ankimuan në Gjykatën e Apelit e cila rrëzoi vendimin e shkallës së parë duke i lënë të lirë ndërsa gjashtë të tjerët kanë pranuar vendimin e shkallës së parë duke qenë se pjesa më e madhe e tyre janë lënë të lirë që në atë kohë. Të gjithë këta shtetas, prej të cilëve 11 punonjës policie u arrestuan nga kolegët e tyre me dyshimin se kanë shpërdoruar detyrën si pjesë e komisioneve të vlerësimit në disa tendera të vegjël të bëra nga policia e Shkodrës.

Të dyshuarit por edhe avokatët mbrojtës të tyre qoftë në shkallën e parë por edhe në seancën e fundit për masën e sigurisë në apel kanë hedhur poshtë akuzat ndaj tyre duke treguar se janë të pafajshëm dhe se nuk kanë bërë asnjë shkelje ligjore dhe se nuk e kanë shpërdoruar detyrën siç dyshohen. Tashmë kryekomisar Saimir Rrustemi do të rikthehet në punë në policinë e shtetit në detyrën që mbante më përpara në sallën operative në policinë e Dibrës ndërsa edhe punonjësit e tjerë do rikthehen në policinë vendore të Shkodrës derisa hetimi të përfundojë në gjyqin e themelit që do zhvillohet në gjykatën e shkallës së parë në Shkodër.

Gjatë seancës së zhvilluar për masën e sigurisë një grup qytetarësh shkodran protestuan duke kërkuar lirimin e kryekomisar Saimir Rrustemit por fillimisht shkalla e parë e la në “arrest shtëpie” për të ardhur tek vendimi i apelit që e la të lirë me “detyrim paraqitje”.

Artikulli paraprakSHKOLLAT/ PUKA, VAU I DEJËS DHE MALËSIA E MADHE PA TRANSPORT
Artikulli tjetër“PAK ART N’PEDONALE”, EKSPOZITA E VEÇANTË NË SHKODËR