Gjykata e Shkodrës ka vendosur që të lirojë 4 shtetasit që u arrestuan gjatë aksionit të së premtes për konfiskimin e duhanit në lagjen “Rus”.

4 të arrestuarit dolën përpara gjykatës së rrethit gjyqësor të Shkodrës për t’u njohur me masën e sigurisë. Në fund të seancave për 4 të akuzuarit, gjykata e Shkodrës vendosi lirimin e tyre. Gjyqtari Sokol Shehu dha masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për shtetasit Arjan Halili, 30 vjeç, Marjan Palalej, 35 vjeç, Denis Zefi 24 vjeç dhe Astrit Muçaj 39 vjeç që të gjithë banues në Shkodër. Prokuroria e Shkodrës kërkoi “detyrim paraqitje” për këta 4 shtetas dhe gjykata pranoi kërkesën e organit të akuzës duke i lënë të lirë. Këta persona sipas policisë së Shkodrës pas aksionit nga krimi ekonomik dhe inspektorët e doganave për konfiskimin e duhanit në lagjen “Rus” kundërshtuan me dhunë punonjësit e antikontrabanës dhe të policisë në aksionin e këtyre të fundit me qëllim goditjen e kontrabandës me mallra që paguhet akcizë teksa kanë qenë duke ushtruar kontroll në tregun e ngritur në vendin e quajtur “Rus”. Sipas policisë gjatë kontrrollit të ushtruar, tregtarët kanë bërë rezistencë dhe për shkak të detyrës kanë kundërshtuar me dhunë e goditur me sende të forta punonjësit e antikondrabandës dhe të policisë, të cilët po kryenin detyrën për konfiskimin e një sasie duhani të grirë, pa dokumentacionin përkatës. Këto akuza nuk janë vërtetuar nga prokuroria duke kërkuar për 4 shtetasit vetëm masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, masë e cila u pranua nga gjykata e Shkodrës. Gjatë atij aksioni shefi i krimit ekonomik në policinë e Shkodrës Pjerin Lazri u pezullua nga detyra pasi i nxori tregtarëve të duhanit pistoletën duke i kërcënuar me armën e shtetit. Katër shtetasit akuzoheshin për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik” dhe “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”, akuza të cilat kanë rënë poshtë nga prokuroria dhe gjykata.

Artikulli paraprakPËRMBYTJET, TAHIRI: OPOZITA TË BASHKËPUNOJË PËR TË NDIHMUAR QYTETARËT
Artikulli tjetërMASSAFRA I DORËZON KATEDRALES RELIKËN E MARTIRËVE