Një Gjykatë në Hawaii ka sfiduar sërish vendimin e Presidentit Donald Trump për bllokadën e udhëtarëve, ndërsa në një vendim të fundit u theksua se nga kjo masë nuk mund të preken gjyshërit.

Ekspertët shprehen se gjyqësori po prodhon një precedent mbi këtë çështje, ndaj mbetet të shihet nëse do të ketë një kundërpërgjigje ligjore nga ana e administratës amerikane. Urdhri ekzekutiv i Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është sfiduar sërish nga gjyqësori amerikan ndërsa një Gjykatë në Hawaii ka vendosur që nga bllokada për emigrantët nga gjashtë vendeve me shumicë popullsie të mos preken gjyshërit.

Më herët, Shtëpia e Bardhë udhëzoi se drejt ShBA mund të udhëtojnë vetëm personat që kanë lidhje familjare, por duke përshirë vetëm termin e ngushtë të familjes, duke përjashtuar gjyshërit, nipërit, mbesat, dhe kushërinjtë. Megjithatë, politika e Presidentit po sfidohet sërish nga gjyqësori, gjë që mund të rezultojë në një tjetër përplasje në shkallë më të larta të sistemit.

Gjykata e Hawaiit vlerësoi se po bëhej një interpretim mjaft i ngushtë i termit familje, ndërsa nënvizon se gjyshërit s’mund të përjashtohen nga të udhëtuarit drejt Shteteve të Bashkuara për të takuar fëmijët dhe nipërit e tyre. Sipas ekspertëve vendimi i marrë së fundmi nga kjo trupë gjyqësore përbën një precedent domethënës për saktësimin e konceptit ‘të afërm me lidhje familjare’.

Ende nuk dihet nëse do të ketë një kontestim nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara për këtë çështje, ndaj pritet të shihet se cili do të jetë reagimi i zyrtarëve të Uashingtonit. Çështja e bllokadës së vendosur për udhëtarët ka shkaktuar një debat madhor në mbarë botën, e megjithatë, Donald Trump, është shprehur vazhdimisht se kjo është një masë për të forcuar sigurinë në vend.

Artikulli paraprakMAQEDONIA NUK KA REGJISTRUAR POPULLSINË PREJ VITIT 2002
Artikulli tjetërMACRON: SHBA-NË DHE FRANCËN “NUK DO T’I NDAJË KURRË ASGJË”