Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar disa nene të ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave.

Bëhet fjalë ligjin nr. 133 i miratuar vitin e shkuar “për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”. Në vendimin paraprak të publikuar sot, Gjykata Kushtetuese bën me dije se ka pranuar pjesërisht kërkesën e Presidentit të Republikës, një grupi deputetësh, Avokatit të Popullit si dhe disa shoqatave. Më konkretisht, Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën për shfuqizimin e nenit 6 pika 3 dhe pika 5 e ligjit, ndërsa ka refuzuar kërkesën për shfuqizimin e nenit 6 pika 1 shkronja “ b” dhe nenit 7 pika 2 shkronja “a” dhe “b” të ligjit përkatës. Gjykata ka vendosur rrëzimin e kërkesës për pjesën. Pikat e shfuqizuara të Nenit 6: Pika 3. Në rastet kur subjektet e shpronësuara kanë përfituar me vendim kthimi dhe kompensimi, diferenca e llogaritur, sipas shkronjës “b”, të pikës 1, zbritet nga vlerësimi i pronës së njohur për kompensim, e llogaritur sipas shkronjës “a”, të pikës 1, të këtij neni. Pika 5. Në rast se ATP-ja merr vendim për njohje dhe kompensim fizik në pronën e subjektit, prona vlerësohet sipas pikës 1 të këtij neni. Kur nga ky vlerësim rezulton se subjekti përfiton një pronë që ka vlerë më të lartë sesa prona që ka pasur në momentin e shpronësimit, atëherë subjektit i kompensohet fizikisht sipërfaqja që i korrespondon vlerësimit dhe pjesa tjetër e pronës kalon në fondin e tokës me vendim të ATP-së. Ligji i pronave u ankimua në Gjykatën Kushtetuese më 29 shkurt të këtij viti nga Partia Demokratike, ndërkohë që ankimimi është bërë edhe nga Presidenti, Partia Republikane, Shoqata “Pronësi me Drejtësi”, Avokati i Popullit si dhe një sërë organizmash të tjerë.

Artikulli paraprakSHBA: 9 SHTETE VOTUAN PER LEGALIZIMIN E MARIJUANES
Artikulli tjetërMINISTRIA E BRENDSHME PUBLIKON SITUTEN E FUNDIT NE QARKUN SHKODER