Gjykata Kushtetuese ka dalë me një vendim ditën e sotme lidhur me kërkesën për heqjen e mandatit të ministres së Jashtme Olta Xhaçka. Në vendimin e zbardhur, ‘Kushtetuesja’ ka vendosur të pranojë kërkesën e grupit të Enkelejd Alibeaj dhe të konsiderojë të papajtueshëm me Kushtetutën vendimin e Kuvendit, i cili nuk miratoi kërkesën e deputetëve të PD-së për mandatin e Olta Xhaçkës. Kjo ka sjellë edhe reagimin nga opozita. Është deputeti Gazment Bardhi dhe përfaqësuesi ligjor i PD-së, Marash Logu që e kanë konsideruar një vendim të tillë, si një fitore.

“Edi Rama dështoi për të mbrojtur mandatin e Olta Xhaçkës me një vendim antikushtetues të Kuvendit. Kërkesa jonë që vendimi për vlefshmërinë e mandatit te deputetit i takon vetëm Gjykatës Kushtetuese u pranua. Tani, Edi Ramës i duhet ta dorëzojë investitoren e vet strategjike me mandat deputeti para Gjykatës Kushtetuese. Ky është vetëm akti i parë i një beteje që duhet të përfundojë me një vendim tjetër të pavarur e të pandikuar për t’i hequr Olta Xhaçkës mandatin e deputetit për shkelje të rëndë të Kushtetutës. Kush përfiton në mënyrë antiligjore nga pasuritë publike duhet të mbajë përgjegjësi! Trajtimi i pasurisë kombëtare si plaçkë personale e Kryeministrit për ministrat dhe familjarët e tyre duhet të ndëshkohet. Ky është vendimi që presin qytetarët nga drejtësia”, shkruan Gazment Bardhi.

“Gjykata Kushtetuese vendosi pranimin e kërkesës së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike (1/10 së deputetëve), duke shpallur antikushtetuese mbrojtjen politike që mazhoranca synoi t’i bënte deputetes dhe ministres së saj. Tashmë Kuvendi është i detyruar që t’ia dërgojë çështjen Gjykatës Kushtetuese, ku me fakte e argumente do të provohet se Olta Xhaçka, në kundërshtim flagrant me Kushtetutën dhe ligjin, ka përfituar nga pasuria publike. Vendimi i sotëm është një lajm i mirë se Shqipëria nuk do të bëhet vendi i parë në botë, ku deputetë dhe ministra shpallen investitorë strategjikë”, thotë Logu.