Gjykata Kushtetuese shkarkon përfundimisht Elvis Rroshin,përjashtohet përjetë nga funksionet publike. Bashkia Kavajë shkon në zgjedhje, pritet dekreti

Tre muaj pas shkarkimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Qeveria, Elvis Roshi ish-kryebashkiaku i Kavajës humb betejën ligjore në Gjykatën Kushtetuese. Me shumicë votash kjo gjykata ka vendosur të rrëzojë padinë e Rroshit dhe të lërë në fuqi vendimi e 29 dhjetorit 2016 që shkarkoi Rroshin. Në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese janë rrëzuar katër pretendimet e Rroshit të cilat lidheshin me shfuqizimin e vendimit të KQZ-s, atë të qeverisë, vendimin e prokurorisë dhe antikushtetueshmërinë e ligjit të dekriminalizimit. “Gjykata, pasi shqyrtoi dhe analizoi pretendimet e paraqitura nga kërkuesi, si dhe parashtrimet e subjekteve të interesuara, në mbështetje të neneve 115 dhe 134/1/i të Kushtetutës, si dhe të neneve 70 e në vijim të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar, VENDOSI:- Rrëzimin e kërkesës”, Sqarohet në vendimin e Kushtetuese. Vetë Rroshi nuk ishte i pranishëm në seancën e sotme ndërsa avokati i tij Theodhori Sollaku u shpreh se Rroshi po dënohet dhe pse ndaj tij nuk ka një dënim të formës së prerë. Tashmë me këtë vendim, Rroshi nuk është kryebashkiak në Kavajë dhe pritet që sapo të botohet në Fletore Zyrtare Presidenti të caktojë datën e zgjedhjeve lokale në qytetin e Kavajës. Për veprat penale në ngarkim të Rroshit, si ajo e përdhunimit në Itali, për të cilën ka edhe një dënim në shtetin fqinj, ligji i Dekriminalizimit e përjashton atë përjetë nga çdo funksion publik