Të premten, më 8 gusht, përfundon afati i masës së përkohshme të vendosur nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës lidhur me konstituimin e Kuvendit.

Ky vendim pritet të publikohet, pasi muajin e kaluar Kushtetuesja urdhëroi deputetët të mos ndërmerrnin asnjë vendim dhe veprim deri më 8 gusht në lidhje me konstituimin e Kuvendit, derisa po i shqyrton dy lëndë.
Kushtetuesja tha se po i shqyrton si lëndë të përbashkëta kërkesat e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilat kishin kërkuar sqarime për çështjet kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit.

Nuk është e qartë nëse ajo do ta shqyrtojë kërkesën e presidentes Vjosa Osmani, në lidhje me atë se çfarë do të ndodhte nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohej deri më 26 korrik – afati i përcaktuar nga gjykata më herët përmes një aktgjykimi – pasi presidentja e tërhoqi kërkesën më 5 gusht, për shkak të gjyqtarit Radomir Llaban.

Në aktgjykimin e saj të parë për çështjen e konstituimit të Kuvendit, të cilin deputetët e shpërfillën, Kushtetuesja nuk kishte treguar pasojat juridike të mosrespektimit të vendimit të saj.

Artikulli paraprakAEROPORTI NDËRKOMBËTAR I TIRANËS: 50,892 PASAGJERË DHE 298 FLUTURIME NË NJË DITË TË VETME
Artikulli tjetërMINISTRIA E MBROJTJES: 19 VATRA NË ORËT E FUNDIT, 3 PREJ TYRE AKTIVE