Gjykata e Shkodrës ka shpallur të pafajshëm 7 efektivë policie, të cilët ishin nën hetim prej rreth një viti për mos-asgjësimin e rreth 1 mijë bimëve kanabis sativa në Njësinë Administrative Shalë, në zonën e Dukagjinit.
Bëhet fjalë për policët Gjergi Mala, Sokol Kroni, Faik Latifi, Nik Shkambi, Zef Doçi, Ardian Baçina dhe Kristian Lokthi, të akuzuar për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe të pezulluar nga funksionet e tyre.
Hetimi u krye nga Prokuroria e Shkodrës, e cila pas rreth një viti veprime procedurale doli në përfundimin se nuk provohet kryerja e veprës penale dhe as implikimi i efektivëve në ngjarje.
Në këto kushte, prokurorja Besmira Vishe i kërkoi gjykatës pushimin e çështjes, kërkesë e cila u pranua nga gjyqtarja Tefte Xhanari, duke vendosur pushimin përfundimtar të procedimit penal.
Më herët, me vendim të Gjykatës së Apelit, ishte hequr edhe masa e pezullimit nga detyra për të gjithë efektivët e përfshirë në hetim.
Mes tyre ishte edhe Zef Doçi, aktualisht zv/shef seksioni në njësinë elitë RENEA, i cili në kohën kur pretendohej se ishte kryer vepra penale, mbante detyrën e shefit të stacionit policor të Thethit.
Sipas pretendimeve të AMP-së, në nëntor të vitit 2024, policët nuk kishin asgjësuar rreth 1 mijë bimë narkotike, të gjetura në proces tharjeje gjatë një operacioni të zhvilluar në korrik të po atij viti, pavarësisht se ishin konstatuar gjatë kontrollit.
Megjithatë, nga provat e administruara gjatë hetimit, këto pretendime nuk u konfirmuan, ndërsa efektivët, të cilët ishin pezulluar nga detyra dhe hetoheshin në gjendje të lirë, u shpallën përfundimisht të pafajshëm.

Artikulli paraprakBERISHA MESAZH QYTETARËVE: BËHUNI GATI PËR PËRSHKALLËZIMIN E PROTESTAVE!
Artikulli tjetërRRJETI I RI I UJËSJELLËSIT SHTRIHET EDHE NË “ISH FERMENTIM”