Gjykata Speciale mund ta përçajë skenën politike të Kosovës

Aktakuzat e para nga Zyra e Prokurorit të ri Speciali në Hagë për krime të kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovë, të cilat priten në fund të këtij viti ose në fillim të vitit 2017, mund të nxitin jo vetëm thirrje për zgjedhje të parakohshme, por mund të kenë gjithashtu një efekt të thellë në skenën e përgjithshme politike në vend. Në shënjestrat kryesore të këtyre aktakuzave priten të përfshihen një numër zyrtarësh të lartë nga Partia Demokratike e Kosovës, PDK, që ishin pjesë e lidershipit të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, gjatë luftës. Pavarësisht skepticizmit në lidhje me efikasitetin e Zyrës së Prokurorit Special dhe Dhomave Speciale – zakonisht e njohur si Gjykata Speciale – analistët vendas besojnë se ekziston një mundësi që skena politike e Kosovës do të ndryshojë, me kusht që drejtësia të ndiqet në mënyrë të pavarur dhe pa ndërhyrje politike. Aktakuzat ka gjasa të çojnë drejt fundit koalicionin qeverisës mes PDK-së dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK, pasi një numër i madh çështjesh mund të kenë lidhje me dhunën politike të dyshuar se është kryer gjatë dhe pas luftës nga UÇK-ja kundër njerëzve që tani zyrtarë të LDK-së. “Paditë do ta destabilizonin PDK-në”, tha për BIRN Halil Matoshi, një komentator politik nga Prishtina. Pakënaqësia brenda LDK-së në lidhje me “martesën” e saj aktuale me PDK-në mund ta ulë lidershipin aktual të LDK-së në favor të atyre që e kundërshtojnë koalicionin.