Gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit në Tiranë, rrëzojnë Prokurorinë.

Gjykatat kanë refuzuar kërkesat e Prokurorisë për sekuestrimin e materialeve shkresore dhe të dhënat e serverave nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Këto kërkesa të Prokurorisë erdhën pas nisjes së hetimeve kryesisht ndaj kryeinspektorit Shkëlqim Gani. Ky i fundit, sipas Prokurorisë, për një periudhë trevjeçare si titullar i institucionit nuk ka denoncuar asnjë rast të konfliktit të interesit të zyrtarëve të lartë edhe pse raste të tilla dyshohet se ka patur. Pas nisjes së hetimeve, Prokuroria sekuestroi një sërë dokumentesh nga ILDKPI si dhe të dhëna të ruajtur në serverin qendror. Por këto veprime të Prokurorisë për efekt të hetimit janë cilësuar të paligjshme nga Gjykatat e Shkallës së Parë dhe Apelit, të cilat pas ankimit të bërë nga Inspektorati, kanë refuzuar të gjitha vendimet e sekuestrove të dokumentacionit dhe të dhënave të serverit qendror të ILDKPI-së, të cilët në total janë 6 të tillë. Ky është nga rastet e rralla, kur Gjykata refuzon Prokurorinë për sekuestrimin e provave shkresore në fazën e hetimeve paraprake. Në këto kushte, Prokuroria duhet të vijojë hetimet duke i këqyrur materialet në ambientet e Inspektoratit, ç’ka pritet që ta zgjasë këtë hetim dhe të kërkojë më shumë oficerë të policisë gjyqësore të angazhuar.