Gjyqtari i gjykatës së Apelit në Shkodër Aleks Nikolli i cili nuk kaloi rrjetën e vettingut dhe u shkarkua një ditë më parë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka zgjedhur të reagojë në rrjetet sociale me vargjet e Rudyard Kipling me poezinë e njohur të tij “Në mundsh”.

Nikolli, i cili heshti pas vendimit dhe nuk pranoi të komunikonte me mediat, shkruan se komunikimi i tij përmes fjalëve të shumëdëgjuara vjen në respekt të raporteve sociale dhe kureshtjes pozitive dhe negative për të. Ja se çfarë shkruan gjyqtari i apelit të Shkodër që u shkarkua nga sistemi i drejtësisë një ditë më parë:

“Në respekt të raporteve sociale që kemi ngritur dhe të kureshtjes pozitive dhe negative të ngritur ndaj gjendjes time të sotme, më lejoni që të komunikoj me ju përmes fjalëve të shumëdëgjuara, por të pavdekshme të nobelistit britanik Rudyard Kipling”.

Pas këtij statusi të Nikollit kanë vërshuar shumë komente të miqve dhe të njohurve të tij. Në një prej komenteve ish gjyqtari Nikolli tashmë shkruan se vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ishte i gabuar dhe larg qëllimeve të mira për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë. Ja komenti i ish gjyqtarit Nikolli:

“Në respekt të profesionit të shenjtë që më është dhënë fati të ushtroj deri ditën e sotme, por dhe të kulturës familjare të maturisë me të cilën jam ushqyer e rritur, do të rezervohem që të mos bëj asnjë koment emocional e aq më pak teknik për vendimin e marrë ndaj meje, duke u kufizuar vetëm në nënvizimin e bindjes time të thellë se në rastin më të mirë ky vendim ka qenë tërësisht i gabuar dhe larg qëllimeve të mira për ta bërë vendin tim dhe tuajin më të mirë!”.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra gjyqtarin e Gjykatës së Apelit në Shkodër, Aleks Nikolli pasi pretendohet se konstatoi mungesë burimesh të ligjshme dhe ngriti dyshime për veprime fiktive nga ana e gjyqtarit Nikolli, ndërsa ky i fundit kundërshtoi analizën financiare dhe kërkoi konfirmim.

Komisioni konstatoi pamundësi financiare për ndërtimin e një shtëpie trekatëshe në fshatin Ishull Shëngjin të Lezhës, ku gjyqtari Aleksi rezulton si pronar i katit të dytë me sipërfaqe 147.8 m2. Aleks Nikolli u hetua nga Vettingu vetëm për pasurinë dhe jo për pastërtinë e figurës apo aftësinë profesionale gjë për të cilën kanë debatuar ashpër duke kërkuar një

arsyetim me shkrim se përse është hetuar vetëm për pasurinë por kjo kërkesë e tij u rrëzua dhe më pas u mor vendimi për shkarkimin nga detyra në sistemin e drejtësisë. Aleks Nikolli është një nga tre gjyqtarët që pranoi kërkesën e Dritan Dajtit për gjykim të shkurtuar gjë për të cilën prokuroria për krime të rënda çeli një hetim që vijon ende.

Artikulli paraprakSHKODËR, BANORËT KËRKOJNË ASFALTIMIN E RRUGËS
Artikulli tjetërDHUNOHET ME MJETE TË FORTA NJË 21-VJEÇAR NË LEZHË, TRANSPORTOHET NË GJENDJE SHOKU NË SPITAL