Tre shtetas, midis të cilëve edhe një punonjës policie janë arrestuar në pikën e kalimit kufitar

të Kapshticës në Korçë, nën akuzën e falsifikimit të dokumenteve dhe kalimit të paligjshëm të kufirit në drejtim të Greqisë. Në pranga përfunduan, Lefter Bardho, 47 vjeç, banues në Pogradec, me detyrë kontrollor në PKK Kapshticë, për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, si dhe shtetasit Marsel Miço, 38 vjeç, Ilia Çipi, 46 vjeç, banues në Korçë, mbi dyshimet për kryerjen e veprave penale të “Falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve” dhe të “Ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve”. Arrestimi i tyre është kryer me kërkesë të Prokurorisë dhe me vendim të Gjykatës. Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë ndihmuar disa persona për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin, duke përdorur pasaporta shqiptare dhe serbe si dhe në bazë të ngjashmërisë fizike, në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës.

Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale:

– 9 pasaporta biometrike shqiptare.
– 1 pasaportë biometrike serbe.
– 4 aparate telefoni celular.
– 2 automjete “Mercedes benz” me targa AA748OG dhe AA361NY.

Materialet procedurale i janë përcjellë Prokurorisë për ndjekje të mëtejshme dhe për zbulimin e lidhjeve të mundshme këtij grupi kriminal.