Goditet me thikë në kraharor, i riu shqiptar në luftë me vdekjen

Një 17-vjeçar shqiptar në Stradella të Italisë, është në luftë me vdekjen pasi u godit me thikë nga një djalë pak më i rritur se ai. Tehu i armës së ftohtë i ka prekur një mushkri. Sipas raportimeve të mediave lokale, autori dhe i plagosuri ishin rivalë në dashuri. Agresori është 19-vjeçari italian Simone Maddaluno. Konflikti i parë i madh mes të dyve lindi mbrëmjen e së dielës në një diskotekë. Një shikim i tepërt ndaj vajzës që pëlqenin të dy, shtyrje dhe grushte, më pas secili shkoi në shtëpinë e vetë. “Nuk ishte hera e parë që ziheshin, por nuk mendonim se situata do të arrinte deri këtu. Ndoshta Simone ishte i dëshpëruar”, thonë miqtë e përbashkët të djemve. Të hënën pasdite, të dy u shkëmbyen në rrugë, para kopshtit të postës. Sipas një rindërtimi të parë të ngjarjes nga karabinierët e Pavias, duket se Simone, ndoshta i provokuar nga i njohuri-rival, e ndoqi deri në fund të rrugës “Dalla Chiesa”, pas zyrave të postës. Aty, pa e parë askush, goditi me thikë në kraharor 17-vjeçarin, i cili në pak sekonda, u shemb në tokë. Disa banorë të zonës, të alarmuar nga ulërimat, dolën në rrugë dhe telefonuan ekipin e ndihmës së shpejtë. Kushtet e shqiptarit u shfaqën që në fillim shumë serioze. Ai u transportua në Poliklinikën “San Matteo” në Pavia, ku iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale delikate në tentativë për ti shpëtuar jetën. Ndërkohë, 19-vjeçari është shoqëruar në rajon për tu dëgjuar nga karabinierët.