
Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin e koduar “Gaminator”, duke goditur një tjetër rast të aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit në Fushë Arrëz.
Gjatë kontrolleve të ushtruara nga strukturat e Hetimit të Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë së Pukës, u zbulua një lokal ku organizoheshin lojëra fati në kundërshtim me ligjin.
Si rezultat i operacionit, u arrestua në flagrancë shtetasi P. P., 30 vjeç, punonjës i lokalit. Ndërkohë, janë shpallur në kërkim dy persona të tjerë, I. T., 30 vjeç dhe G. P., 39 vjeç, të dyshuar si organizatorë të kësaj veprimtarie.
Gjatë kontrollit në ambientet e lokalit, policia sekuestroi 2 makineta, 1 pajisje kompjuterike, 1 celular, si dhe shumën prej 140 mijë lekësh, që dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti i paligjshëm.
Policia bën me dije se vijon puna për kapjen e personave në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.






