28-vjeçari i cili goditi me shuplakë në fytyrë presidentin e Francës Emmanuel Macron, para dy ditësh, është dënuar me 4 muaj burg.

28-vjeçari është identifikuar si Gamien Tarel dhe u dënua në gjykatën e qytetit juglindor të Valences.

Përpara trupit gjykues Tarel ka thënë se shpulla ndaj Macron ishte për të simbolizuar çdo gjë që është ‘kalbur’ në Francë dhe për të treguar revoltën e njerëzve kundër tij.

Tarel mund ta konsiderojë veten me fat për dënimin e ulët, pasi sipas legjislacionit francez ai mund të shkonte deri në 3 vjet në burg si dhe të paguante një gjobë prej 45 mijë eurosh.

Prokuroria kërkoi 18 muaj burg për 28-vjeçarin, por Gjykata ka parë të arsyeshëm dënimin me 4 muaj burg.

Presidenti francez Emmanuel Macron u godit me një shpullë në fytyrë në qytet në një vizitë zyrtare në jugun e Francës. Incidenti ndodhi ndërsa Macron ishte për një vizitë në rajonin e Drome në Francën jug-lindore, ku ai u takua me pronarë restorantesh dhe studentë për të folur rreth asaj se si jeta po kthehet në normalitet pas pandemisë.