Banorët e fshatit Golem në njësinë administrative Rrethina kanë kërkuar që të mundësohet hapja e një rruge dytësore që bën lidhjen e një pjesë të fshatit me lagjen “Fermentim” të qytetit të Shkodrës. Rruga është ngjitur me ish-fabrikën e fermentimit të duhanit dhe sipas banorëve, u duhen vetëm 10 minuta të lidhen me qytetin, ndërkohë që në rrugën ekzistuese u duhen më shumë se 30 minuta.

Banorët tregojnë se kanë vënë në dijeni bashkinë Shkodër për lehtësinë që mund t’I sjellë hapja e kësaj rruge, por akoma nuk kanë marrë një përgjigje qoftë edhe negative në lidhje me kërkesën e tyre.

Në këtë rrugë të ngushtë kalojnë rreth 350 banorë të fshatit Golem çdo ditë, për t’u lidhur me shpejt me shkollën, punën, kultet fetare apo edhe spitalin e Shkodrës. Banorët atje kërkojnë një investim modest nga ana e bashkisë Shkodër, që mund t’I lehtësojë kalimin gjatë gjithë vitit.