Bashkimi Europian kërkon nga klasa politike shqiptare të përfshijë në reformën e re zgjedhore të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it të bëra deri më sot, ndërsa pret që palët t’i qëndrojnë angazhimit të tyre për ta përmbyllur këtë proces deri në vitin 2026.

Në një intervistë për emisionin “Ekspres” në RTSH, ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, tha se ky duhet të jetë një angazhim i qartë i Shqipërisë në kuadër të anëtarësimit në BE.

Disa nga elementet që duhen përmirësuar në këtë reformë, tha Gonzato, lidhen me çështjet si transparenca në financimin e fushatës, rregullimi i medieve online dhe shmangia e shpërdorimit të burimeve publike.

“Mendoj se gjetjet e ODIHR-it këtë radhë konfirmojnë të njëjtat probleme që janë konstatuar në vitin 2021, kështu që këto probleme duhen zgjidhur. Ndaj në deklaratën e bërë nga Përfaqësuesja e Lartë Kallas dhe Komisionerja Kos ne u jemi referuar gjetjeve të misionit të OSBE-së, u referohen mangësive që ata kanë theksuar, dhe kërkojmë një reformë zgjedhore që të përfshijë të gjitha rekomandimet e bëra deri më tani, dhe ato që do të bëhen këtë herë. Ne e dimë se cilat janë çështjet: transparenca në financim, rregullimi i medias në internet, shpërdorimi i burimeve publike etj. Të gjitha këto elemente duhen trajtuar në reformën zgjedhore, e cila është diçka për të cilën Shqipëria është angazhuar të bëjë në kuadër të anëtarësimit. Ka një udhërrëfyes për shtetin e së drejtës, që përmban një angazhim të qartë për bërjen e kësaj reforme deri në 2026”, u shpreh ambasadori i BE-së.

Artikulli paraprakKF VLLAZNIA MBYLL RRUGËTIMIN ME FUTBOLLISTIN MILOS STOJANOVIÇ
Artikulli tjetërRREGULLA TË REJA NË LIGJIN E EMIGRACIONIT NË GJERMANI