Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato u shpreh sot se forcimi i sundimit të ligjit ka një rëndësi thelbësore për vendet në procesin e anëtarësimit në BE dhe rezultatet e prekshme në këtë drejtim janë elementë thelbësore për të ecur përpara në procesin e integrimit.

Në fjalën e mbajtur në Forumin Konsultativ të Prokurorëve të Përgjithshëm dhe Specialë të Ballkanit Perëndimor, ambasadori Gonzato u shpreh se “BE dhe Ballkani Perëndimor vazhdojnë të përballen me kërcënime të përbashkëta sigurie nga krimi i organizuar dhe korrupsioni”.
Ndaj, Gonzato vlerësoi se bashkëpunimi i ngushtë midis gjyqësorit dhe aktorëve përtej kufirit dhe përgjigjet e koordinuara janë thelbësore jo vetëm për të luftuar krimin ndërkufitar por edhe për të mbrojtur më mirë viktimat e krimit.

“Ja pse ky projekt dhe takimi i sotëm janë kaq të rëndësishëm. Ne e njohin angazhimin e fortë të vendeve në rajon për të luftuar së bashku krimin e organizuar që është ndërkufitar dhe natyrisht shkakton dëm ekonomik dhe pengon rritjen ekonomike. Është i dëmshëm për kohezionin social e mirëqenien e qytetarëve dhe po kështu gërryen besimin e qytetarëve te institucionet”, shtoi ai.

Gonzato nënvizoi se “korrupsioni i nivelit të lartë është tipar i shumë aktiviteteve kriminale dhe kërcënim i sigurisë”.

“Grupet kriminale përdorin korrupsionin në nivele të larta për të zgjeruar ndikimin e vet apo për t’iu shmangur drejtësisë. Ndaj duhet të punojmë së bashku për të hequr këtë ndjenjë pandëshkueshmërie dhe për të ulur hendekun midis politikës, gjyqësorit dhe qytetarit”, tha Gonzato.

Duke iu drejtuar prokurorëve të pranishëm në këtë forum, Gonzato u shpreh se “puna juaj ndikon drejtpërdrejt në proceset e vendeve tuaja drejt anëtarësimit në BE”.

“Shërbime të pavarura të prokurorisë që mund të hetojnë e të ndjekin penalisht krimin pa frikë apo favore janë parakushte thelbësore për anëtarësimin në BE. Kur prokurorët në rajon punojnë së bashku duke ndarë praktikat më të mira dhe bashkërenduar hetimet, pandëshkueshmëria nuk ka vend në shoqëri”, shtoi ai.

Artikulli paraprakEUROSTAT: APLIKIMET PËR AZIL NGA SHQIPTARËT NË BE BIEN 29% PËR PERIUDHËN JANAR-MARS
Artikulli tjetërOSMANI UDHËTON NË HUNGARI PËR VIZITË ZYRTARE