Dy persona me maska dhe të armatosur kanë hyrë në arkat e bankës ku kanë marrë një shumë parash dhe janë larguar menjëherë nga vendngjarja.

Ata kanë përshkuar një rrugë prej gati 30 metra në këmbë, ku i priste një automjet. Policia e Vlorës ka stacionuar 10 postoblloqe në hyrjet dhe daljet e qytetit. Ende nuk dihet shuma e parave të vjedhura. Deklarata e Policisë së Vlorës: Policia e Vlorës ka marrë njoftim se në orën 13:56 minuta, 2 persona të paidentifikuar ende kanë vjedhur një Bankë të nivelit të dytë. Banka ndodhet pranë “Sheshit të Flamurit”. Nga informacionet paraprake, dyshohet se grabitësit mbanin të veshur rroba me kamoflazh dhe kapele me strehë. Ata kanë marrë nën kërcënimin e armëve, shumën e xhiros ditore, por ende nuk është e qartë sasia monetare e vjedhur. Gjatë grabitjes nuk ka patur asnjë person të lënduar. Policia e Vlorës sapo ka marrë njoftimin ka ngritur disa pika kontrolli në akset kryesore hyrëse dhe dalëse të qytetit. Dhjetëra efektivë të Policisë janë vënë në ndjekje të autorëve. Janë sekuestruar ndërkohë pamjet e kamerave të sigurisë së Bankës si dhe të disa bizneseve përreth vendit ku ndodhi grabitja. Vijojnë hetimet për identifikimin e autorëve të ngjarjes.