
Një shofer taksie është dhunuar dhe grabitur me një skenar të ngjashëm si në filma, por që në të shkuarën ka rezultuar fatal për drejtuesit e mjeteve të verdha. 48-vjeçari Bujar Elezi ishte nisur nga Durrësi drejt Vlorës me dy pasagjerë që rezultuan autorët e dhunimit dhe grabitjes.
Në afërsi të Levanit në Fier, dy pasagjerët ende të paidentifikuar e kanë dhunuar shoferin dhe më pas e kanë futur në bagazh të mjetit. Më tej ata kanë udhëtuar në fshatrat e Kërkovës dhe Bunavisë, ku kanë lënë në rrugë Elezin dhe më pas janë larguar me mjetin e tij. 48-vjeçari ka marrë mjekimin e nevojshëm në spitalin rajonal Vlorë, ku pasi ka marrë ndihmën mjekësore është nisur drejt shtëpisë së tij në Durrës. Pas marrjes së informacionit policia lokale e Vlorës në bashkëpunim me drejtorinë e Fierit dhe Durrësi ka nisur një hetim të gjerë për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Prej mbrëmjes të së shtunës u ngritën postblloqe dhe pika të shumta kontrolli, por pa rezultat.
Policia tregohet e rezervuar në të dhëna, për shkak të sekretit hetimor. Por në njoftimin paraprak për ngjarjen thotë se po punohet intesivisht për të vënë në pranga autorët. Një rast i ngjashëm u regjistruar në 2016 në Kavajë ku 24 vjecari Musa Saraçi vrau taksistin Idrizi Kariqi për ti vjedhur makinën.






