Kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, në fjalën e mbajtur në Kongresin e PS-së, nuk ka harruar të përshëndesë edhe ish-kryeministrin e ish-presidentin Ilir Meta.

Ruçi tha se Meta, Majko dhe Ndre Legisi ishin ndër të parët që iu bashkuan PS-së më 1991.

“Unë s’jam person që emocionohem kollaj, por me ato që pashë në dokumentar, mund t’ju them se jam shumë i emocionuar. Do e ndaja në dy periudha rrugëtimin e PS-së, një nga 1991 deri më 2005 dhe tjetrën nga 2005 deri më 2021. Në periudhën 1991-2005 u identifikuam si forca politike e sistemit që lamë pas, u anatemuam gjatë gjithë kohës si vetë PP. Të ishe socialist nuk ishte e modës, nuk kishte liri për socialistët, kishte vetëm maliq për socialistët, nuk kishte ekonomi tregu e nuk kishte të drejta për socialistët. Rrahje e persekutime, arrestime kishte për PS-në dhe kulmoi me burgosjen e liderit të kohës, Fatos Nano.

Ishin vite të vështira. Do përshëndesja shumë figura të rëndësishme të asaj kohe, si Shkëlqim Cani, Sabit Brokaj, Maqo Lakrori, Fatri Sinani, që nën drejtimin e Servet Pëllumbit rinovuan një program social-demokrat të PS-së. Do përshëndesja Ilir Metën, Ndre Legisin dhe Pandeli Majkon. Do përshëndesja grupin e parë parlamentar me në krye Namik Doklen. Ishin 36 deputetë dhe disa nuk jetojnë më, ky ishte grupi më i mirë parlamentar që kishim”, tha Ruçi.

Gramoz Ruçi ka përshëndetur edhe Nanon, duke thënë se lideri i PS-së bëri 4 vjet burg vetëm pse ishte kryetar i Partisë Socialiste.

“Do përshëndesja Fatos Nanon. Ne jemi krenar për ty për shumë gjëra. Askush, as ne, as kundërshtarët tanë nuk thonë se ti nuk je politikan. Jemi krenar që të kishim kryetar 14 vjet. Ti je intelektual, ti bëre 4 vjet burg vetëm pse ishe kryetari ynë. Mirënjohje Fatos Nanos. Më 1997, ne ngritëm shtetin, bëmë shtetin e së drejtës dhe ligjor. Ne përballuam luftën e Kosovës dhe sot gëzon statusin Republika e Kosovës. Më 2005 u pranua humbja dhe Nano dha dorëheqjen. Këtë e bën vetëm një lidership dhe një parti e emancipuar.

Për të ardhur sot, i dashur Edi Rama, më 2003 deshe të bëheshe kryetar ynë dhe nuk të mbështesnin, ti qëndrove stoik, pasi e dije mirë që të bëhesh lider, nuk mjafton vetëm dëshira e ambicie, por duhet patjetër edhe dëshira e dashuria e atyre për të cilët pate ambicie për të qenë kryetar i tyre dhe ndodhi më 2005. E, ja ku jemi sot, si asnjë parti e majtë në Europën Lindore, me tre mandate rresht fitimtar. Shqipëria tani ulet në KS mes pesë më të mëdhenjve të botës. Sot kemi 112 mijë anëtarë e jemi rritur. Vajzat dhe gratë tani kanë pozita të rëndësishme në PS. Kemi bërë sukses në barazinë gjinore”, u shpreh Ruçi.