Parlamenti grek ka miratuar te premten ne mbremje paketën e masave të reja shtrënguese, që i kërkohej Greqisë si kusht për marrjen e një kësti të kredisë së akorduar nga partnerët ndërkombëtarë.

Paketa u votua nga 153 deputetët e koalicionit qeveritar, në kohën që dy prej partive të opozitës, ajo komuniste dhe PASOK-u ishin larguar nga salla në shenjë proteste. Seanca parlamentare ishte e tensionuar. Opozita e akuzoi qeverinë se voton masa të fshehta që do të bien mbi supet e miliona qytetarëve, ndërsa e gjithë procedura u cilësua si antikushtetuese dhe që shkel çdo normë parlamentare.

Duke e marrë fjalën në seancë, ministri i Financave dhe ajo e punës, u përpoqën që të minimizonin efektin e masave të reja. Paketa e masave përfshin ngrirjen e pensioneve deri në vitin 2022 si dhe kufizimin e të drejtave të punonjësve të sektorit privat. Ndërsa debati parlamentar kishte kulmuar, protestues hodhën arka me sardele në sheshin e parlamentit. Dhe kjo për arsye se amendamentet për masat e reja shtrënguese ishin përfshirë në një projektligj për peshkimin. Athina zyrtare shpreson që pas votimit të masave të hapet rruga për marrjen e këstit të kredisë, por edhe për lehtësimin e borxhit publik grek. Vendimet pritet të merren në mesjavë, në takimin e ministrave të financave të eurozonës.