Greqia ka hapur të dielën qëndrat e votimit në funksion të zgjedhjeve të parakohshme. 10 milion votues thirren për të zgjedhur kryeministrin e ri. Për të tretën herë brenda 9 muajsh, grekët shkojnë sërish pranë kutive të votimit. Pas zgjedhjeve te Janarit ku Aleksis Tsipras erdhi në pushtet me synimin për reduktimin e masave shtrënguese kundër Greqisë dhe referendumit të korrikut për marrëveshjen e shpëtimit me Bashkimin Europian, ata votojnë për qeverinë e re pas dorëheqjes së kabinetit te Tsipras.

Por, Tsipras do të tentojë që të rimarrë në dorë frenat e ekzekutivit, një muaj pas dorëheqjes së tij si kryeministër. Këtë herë ai shpreson që të arrijë një shumicë të cilësuar në Parlament. “Sot Greqia do të ushtrojë të drejtën e saj demokratike për të përcaktuar të ardhmen. Duhet një qeveri e fortë për një mandat 4-vjeçar.” – deklaroi Tsipras. Partia e tij Syriza, vijon që të mbetet në një garë të fortë me partinë konservatore, Demokracia e Re. Bazuar në sondazhet e deri tanishme, asnjë forcë politike nuk mendohet të marrë më shumë se 38% të votave. Kjo do të thotë se qeverisja përmes një koalicioni është një opsion i pashmangshëm. Qendrat e votimit u hapën në orën 06:00 të mëngjesit në të gjithë vendin, ndërsa procesi pritet të përfundojë rreth orës 18:00 të pasdites dhe rezultatet e para të projektuara priten rreth orës 20:00 të mbrëmjes. Në orën 10:15 ka votuar kreu i Demokracisë së Re, Meimarakis i cili pas daljes nga qëndra e votimit është shprehur se qytetarët duan të largojnë të dyshuarin për vepra penale dhe duan një të nesërme më të mirë. Ndërkohë më herët, në orën 09:08 ka qenë Cipras që ka votuar dhe është shprehur se shteti ka nevojë për një qeveri të fortë dhe një mandat që të zgjasë 4 vjet.