Në Greqi do të fillojë së shpejti kultivimin i kanabisit për nevoja mjekësore. Projektligji përkatës është miratuar me shumicë të konsiderueshme votash, jo vetëm nga dy përfaqësuesit e dy partive të koalicionit qeveritare, por edhe nga PASOK dhe To Potami.

Tashmë pritet që projektligji të kalojë për votim në seancë plenare.

Dispozitat parashikojnë krijimin e plantacioneve dhe impianteve të përpunimit të kanabisit të butë, ose siç e ka emrin shkencore Cannabis Sativa L, me përmbajtje tetrahydrocannabinoli më shumë se 0,2%. Sipërfaqet e mbjella me këtë bimë do të duhet të jenë më të mëdha se 4 dynymë.

Ligjvënësit kanë caktuar kritere shumë të forta për dhënien e lejes së kultivimit. Kandidatët nuk duhet të jenë dënuar më parë për vepra penale, ndërsa taksa që duhet të paguajnë për marrjen e licensës nuk është vendosur ende, po pritet të jetë shumë e lartë.

Kultivuesit mund t’ia dorëzojnë produktin e tyre monopolit të shtetit, ose do ta eksportojnë atë, pas marrjes së miratimit nga Enti grek i Kontrollit të Barnave.