Në ishullin italian, Sicili është regjistruar temperatura 48.8 gradë Celsius, më e larta e shënuar në historinë e vendit. Vala e fundit e nxehtësisë në Itali po shkaktohet nga një anticiklon me nofkën ‘Luçifer’ që lëviz nga Afrika. ‘Luçifer’ parashikohet të drejtohet në veri të Italisë, duke rritur më tej temperaturat në qytetet përfshirë kryeqytetin, Romën.

Vala e të nxehtit mesdhetar ka ndikuar edhe në përhapjen e zjarreve në Italinë jugore. Sicilia, Kalabria dhe Pulia janë rajonet më të goditura. Tre viktima janë regjistruar deri tani nga zjarret në Itali, ku flakët kanë gllabëruar edhe mijëra hektarë pyje. Në Kalabri, tezja dhe nipi humbën jetën pak ditë më parë, ndërsa bilancit i shtohet edhe një tjetër vdekje në Siçili.

Për të dhjetën ditë radhazi zjarrfikësit e rraskapitur grekë luftuan me zjarret në mes të temperaturave të larta që gjithashtu ndihmuan përhapjen e tyre të mëtejshme.

Forcat e huaja po ndihmojnë nga toka dhe ajri në luftimin e flakëve në atë që kryeministri Kyriakos Mitsotakis e ka përshkruar si një verë makthi, por ka theksuar se e rëndësishme ishte të shpëtoheshin jetë dhe jo të drejtoheshin gishtat për të gjetur fajtorin.

Mijëra hektarë tokë janë djegur e qindra qytetarë janë evakuuar nga banesat, kryesisht në ishullin e Evias, Atikë dhe Peloponez. Flakët vazhdojnë të shkatërrojnë Evia-n, ishullin e dytë më të madh të Greqisë dhe tanimë gjithçka çfarë ka ngelur pas është shkatërrim dhe trishtim.

Prej më shumë se dy javësh vazhdon përballja e zjarrfikësve për shuarjen e zjarreve në Turqi, ku nga treqind vatra zjarri, 3 vazhdojnë të jenë ende aktive.

Në skajin tjetër të Mesdheut, Algjeria vendosi ushtrinë për të ndihmuar në luftimin e zjarreve që shpërthyen në zonat pyjore në veri të vendit, duke vrarë të paktën 65 njerëz, përfshirë 28 ushtarë.

Zjarret nuk janë të kufizuara vetëm në rajonin e Mesdheut. Kalifornia ka pësuar zjarrin e dytë më të madh në historinë e vendit që deri të dielën kishte mbuluar gati 500,000 hektarë (2,000 km katrorë).

Nga Turqia në Tunizi, vendet përreth Mesdheut kanë parë disa nga temperaturat e tyre më të larta në dekada, në një kohë kur paneli i ekspertëve të Kombeve të Bashkuara për klimën paralajmëroi se bota ishte në rrezik nëse nuk ndërmerren masa të shpejta.