VOTËBESIMI NË TË NJËJTËN KOHË KUR PO DISKUTOHEJ PLANI GREK NGA BE-ja. Me 162 vota nga deputetët e dy partive të koalicionit qeveritar, qeveria e re greke ka marrë në mbrëmjen e së martës votëbesimin e parlamentit. 137 ligjvënësit e tjerë nga 299 të pranishëm kanë votuar kundër. 

Kryeministri grek, që sipas sondazheve ka mbështetjen e 75 përqind të grekëve për mënyrën se si po negocion me partnerët europianë ka fituar lehtësisht betejën e tij të parë në parlament, duke u zotuar se kurrë nuk do të lejojë që vendi të kthehet në epoken e programeve të reformave të ashpra të kursimit.  Votëbesimi i qeverisë ka ardhur vetëm disa orë para samitit tepër të rëndësishëm të Eurogrupit, ku Athina fillon negociatat e saj për një marrëveshje kalimtare dhe ndihme financiare deri në verën e këtij vitit, në një klime jo të favorshme për të, duke pasur kundër qendrimin e ashpër të Berlinit. Sipas analistëve Athina fillon sot negociatat pa pasur asnjë aleat në samitin e Eurogrupit, përveç frikës se moszgjidhja e cështjes së borxhit grek do të shkaktonte një dalje të saj nga zona e euros me efekte shkatërruese domino, jo vetëm në Europë, por edhe jashtë saj. Pavarësisht se konsiderohet i vështirë fakti që do të marrë fund memorandumi i reformave të ashpra të miratuara nga qeveria e mëparshme, tek shumica e grekëve ekziston optimizmi se qeveria Tsipras do të marrë dicka pozitive nga kreditorët e saj.

Artikulli paraprak“THIRR 112” NISMA NË KOSOVË NË DITËN E NUMRIT EMERGJENT
Artikulli tjetërSANREMO RIKTHEN PAS 24 VITESH NË SKENË ALBANO DHE ROMINA