Greqia ka deklaruar se do t’i kthejë në Turqi ushtarakët turq që me një helikopter u ulën në qytetin verior të Aleksandropulit këtë të shtunë.

Qëndrimin e ka bërë publik zëdhënësja e qeverisë helene, Olga Gerovassilis në një deklarate online. “Autoritetet greke do të ndjekin procedurat e parashikuara nga ligji ndërkombëtar. Sidoqoftë, është marrë në konsideratë fakti që këta 8 persona të ndaluar akuzohen në vendin e tyre për prishje të rendit kushtetues dhe përpjekje për të rrëzuar demokracinë”, deklaroi Gerovassilis. Ndërsa shefi i shtabit të përgjithshëm grek konfirmoi përmes një njoftimi se 8 ushtarakët turq, mes të cilëve 3 majorë, 3 togerë dhe 2 rreshterë, kërkuan azil politik në shtetin grek. Autoritetet helene nuk kanë konfirmuar nëse 8 oficerët, që hynë në hapësirën ajrore greke pa leje, kishin marrë pjesë në grushtin e shtetit në Turqi. Ato saktësuan vetëm se avionët gjuajtës grekë e shoqëruan helikopterin deri në aeroport. Më herët, ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavushoglu, pas një bisede telefonike me homologun grek, postoi në Twitter mesazhin se 8 “tradhtarët” ishin ndaluar në komisariatin e policisë në Aleksandropulos dhe se do të ktheheshin në Turqi. Ndërkohë, helikopteri turk, i prodhuar në SHBA, “Blackhowk”, është fotografuar nga agjencia e lajmeve “Kina e Re” në pistën e qytetit, në ekstremin veri-lindor të vendit.

Artikulli paraprakMERKATO E VARFËR, “FRANCË 2016” NUK NDIKOI NË LËVIZJET E LOJTARËVE
Artikulli tjetërBYLYKBASHI: REFORMA T’I ÇOJË TË KORRUPTUARIT NË BURG, JO NË SHTËPI