EXIT POLL-ET DALIN NË ORËN 21:30, VETËM GJYSMË ORE PAS MBYLLJES SË PIKAVE TË VOTIMIT. Që prej orës 7 të mëngjesit, grekët i janë drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur qeverinë e re të vendit.

Fitorja e pritur e Syriza-s do të sillte në pushtet qeverinë e parë brenda eurozonës të përkushtuar për të anulluar masat shtrënguese të vendosura nga Bashkimi Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Fitorja e Syrizas do të përfaqësonte një tjetër pikë kthese për Europën, pas shpalljes së programit të ringjalljes së ekonomisë nga Banka Qendrore Europiane, me rritjen e ofertës monetare në tregjet europiane me 1,1 trilion euro. Exit poll-et e para pritet të dalin në orën 21:30, vetëm gjysmë ore pas mbylljes së pikave të votimit, ku 9,8 milionë grekë pritet të thonë fjalën e tyre për drjetimin që do të marrë vendi. Por edhe pse Syriza shihet si favorite për të fituar shumicën e 300 vendeve në parlamentin grek, është ende e paqartë nëse do të jetë në gjendje të qeverisë e vetme, apo do të deytrohet të bëjë koalicion me parti të tjera. Nën moton “Po vjen shpresa”, Syriza kryeson sondazhet parazgjedhore dhe pritet të marrë deri në 33,4% të vendeve në parlament, ndërkohë që Demokracia e Re e Samarasit pritet të fitojë deri në 28%. Kryeministri në detyrë votoi që në orët e para të mëngjesit dhe dha mesazhe inkurajuese për të pavendosurit, që pritet të kenë një rol të rëndësishëm në formimin e qeverisë së re. Ai u bëri thirrje që të thonin fjalën e tyre për të mos ndryshuar kursin që ka marrë vendi. Ndërsa më pas votuan edhe Tsipras dhe Jorgos Papandreu.