Janë bllokuar të gjitha fluturimet e parashikuara për sot në aeroportin e Rinasit. Vendimi i papritur është njoftuar para pak minutave ndërkohë që pritet dalja me një deklaratë e TIA dhe një tjetër e ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Ndërkohë që mëngjesin e sotëm një avion i nisur nga Athina nuk ka mundur të ulet pasi ka qëndruar 30 minuta në ajër dhe është kthyer mbrapsht për në Greqi.

Kjo ka ndodhur si pasojë e fakti se kontrollorët e AlbControl vendosën sot të bënin një grevë duke bojkotuar punën në protestë për pagat dhe kushtet e punës. Kontrollorët dhe punonjësit e tjetër të AlbControl kërkojnë rritje të pagës, pasi në prill 2020 ato janë ulur me 70%.

Një tjetër fluturim i prekur nga kjo protestë disa minutëshe se kontrollorëve është edhe ai i ‘Air Albania’ me destinacion Stamboll-Tiranë, që do të ketë 40 minuta vonesë.

AlbControl është një kompani me kapital 100% shtetëror dhe në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës. Pritet që ministrja Balluku të jetë vetë sot në ambientet e AlbControl për të diskutuar për kërkesat e kontrollorëve dhe punonjësve të tjerë.

65 janë kontrollorët që kanë disa kërkesa që pritet t’i negociojnë. Vitin e kaluar bordi i AlbControl i uli pagat me 62%, ndërkohë që kontrollorët kanë firmosur kontratën e paaftësisë në punë edhe për shkak të stresit ndaj pandemisë, por nuk është marrë parasysh nga drejtuesit.

Kërkesat e kontrollorëve:

– Rikthim i kolegëve në punë;

– Shfuqizim i vendimeve të bordit;

– Rikthimi i pagës së plotë sipas kontratës kolektive;

– Transparencë financiare e plotë për vitin 2020;

– Një anëtar sindikate të jetë anëtarë bordi.

Kjo është hera e parë që ndodh një protestë nga kontrollorët e ‘AlbControl’, të cilët kanë firmosur deklaratën e paaftësisë në punë për shkak të stresit të vazhdueshëm që kanë, ndikuar edhe nga pandemia.