Greva e pilotëve – Lufthansa anulon rreth 900 fluturime pas humbjes së betejës ligjore

Pilotët e Lufthansa-s në Gjermani kanë nisur një grevë dy-ditore të mërkurën në mesnatë, duke bllokuar qindra fluturime në një nga linjat ajrore më të mëdha europiane. Kjo lëvizje vjen si përpjekje për të shtuar presionin mbi menaxhimin, sa i përket një mosmarrëveshjeje të gjatë mes palëve, lidhur me pagat. Unioni i pilotëve fillimisht kërkoi një largim në formë proteste, por pasi dy gjykata hodhën poshtë përpjekjet e Lufthansa-s për të ndalur protestën, unioni zgjati grevën edhe për 24 orë të tjera, deri ditën e premte. Kjo është greva e 14-të që prej prillit 2014, në kuadër të mosmarrëveshjeve mes saj dhe unionit Vereinigung Cockpit. Sipas Lufthansa-s, janë anuluar 876 nga 3.000 fluturime të planifikuara për të mërkurën, të cilat dëmtojnë plot 100.000 pasagjerë. Megjithatë, kompania lajmëron se fluturimet e linjave të tjera të saj si Eurowings, Swiss, Austrian Airlines dhe Brussels Airlines nuk do të ndikohen nga kjo grevë. Lufthansa bëri dy kërkesa ligjore për të ndalur protestën. Një gjykatë e punës në Frankfurt fillimisht refuzoi kërkesën e kompanisë për një vendim gjyqësor. Më vonë, edhe një gjykatë në Hesse refuzoi apelin e aerolinjës. Bisedimet për pagat mes unionit të pilotëve dhe Lufthansa-s u ndërprenë në fillim të këtij muaji, pasi kompania deklaroi se unioni kishte refuzuar vazhdimisht ofertën e ndërmjetësimit. Sindikata kërkon një rritje 3.7% në paga për 5.400 pilotë që i kanë shërbyer kompanisë që prej vitit 2012. Ndërkohë, Lufthansa ofroi një rritje 2.5% gjatë 6 viteve deri në 2019. Sakaq, një tjetër mosmarrëveshje me ekuipazhin e kabinës në Eurowings, bëri që të anuloheshin 60 fluturime të martën.

Artikulli paraprakLOJTARI I LEICESTER PERPLASET ME LAMBORGHINI-N 190 MIJE PAUNDESH
Artikulli tjetërMUNGESA E RRUGES,BANORET BRAKTISIN ZONEN