
Franca do të përballet këtë të enjte, më 5 nëntor, me një grevë mbarëkombëtare, ku pritet të marrin pjesë punonjës të sektorit publik dhe privat, pensionistë, nxënës dhe studentë. Sindikatat kanë thirrur protestat kundër rritjes së kostos së jetesës, duke kërkuar rritje pagash dhe rishikimin e planit buxhetor të qeverisë për vitin 2027.
Mobilizimi vjen në një klimë të tensionuar sociale, pasi organizatat sindikale kanë shprehur pakënaqësinë për rezultatet e takimit me përfaqësuesit e qeverisë, të zhvilluar më 21 tetor, ku u diskutuan kërkesat e tyre kryesore ekonomike dhe të punës. Ajo parashikoi pjesëmarrje të gjerë në protesta, duke theksuar se do të jetë një ditë bashkimi mes punonjësve të sektorit privat, nëpunësve civilë, pensionistëve dhe të rinjve. Çështja e pagës minimale u diskutua edhe gjatë takimit mes qeverisë dhe sindikatave më 21 tetor. Në atë kohë, presidenti i sindikatës CFTC, Cyril Chambénier, deklaroi se qeveria kishte lënë të hapur mundësinë e zhvillimit të një diskutimi për këtë çështje.
Disa ditë më vonë, ministri i Punës dhe Solidaritetit Social, Jean-Pierre Farandou, deklaroi për France Inter se një rritje e jashtëzakonshme e pagës minimale, e cila do të prekte afro dy milionë punonjës, “nuk ishte tabu”. Megjithatë, ai sqaroi se deri atëherë nuk ishte marrë asnjë vendim përfundimtar. Në grevën mbarëkombëtare do të marrin pjesë edhe organizata nga sektorë të ndryshëm, të cilat krahas kërkesave të përbashkëta kanë paraqitur edhe shqetësimet e tyre specifike.
Edhe lëvizja “Jelekët e Verdhë”, e cila ka qenë protagoniste e protestave të mëdha sociale në Francë në vitet e kaluara, pritet të marrë pjesë në demonstrata, këtë herë me sloganin “5 Nëntori është për popullin”. Greva e së enjtes përbën një tjetër provë për qeverinë franceze, ndërsa sindikatat synojnë të bashkojnë pakënaqësinë për koston e jetesës, kushtet e punës dhe politikat fiskale të parashikuara për vitin 2027.


