“Vllaznia mund të penalizohet për shkak të borxheve të prapambetura për disa lojtarë”. Ky është alarmi që jep drejtori sportiv i Vllaznisë Armir Grima pak ditë pasi dha dorëheqjen në rolin e trajnerit në detyrë. Grima ka folur për gazetën “Sot Sport” duke rrëfyer situatën alarmante në klubin shkodran.

“Na kanë ardhur nga FIFA tre vendime për pagesën e detyrueshme që Vllaznia duhet të bëjë ndaj tre ish-futbollistëve që kanë luajtur më parë me të. Ata i kanë fituar gjyqet në FIFA dhe tashmë duhen likuiduar. Afati i fundit është data 2 janar 2016 por në fakt askush nuk është ndjerë në lidhje me këtë çështje. Më thoni pastaj si ta quaj alarmante apo jo situatën kur duhen edhe pak ditë nga bërja e këtyre pagesave dhe nuk e di nëse do të bëhen. Nëse dënohemi sërish, tani këtë herë bëhet fjalë për tre dënime dhe me – 9 pikë, llogariteni vetë pastaj ku do të shkonte Vllaznia. Duhet një ndërhyrje urgjente”-ka thënë Grima. Më tej kreu i klubit kuqeblu ka treguar edhe arsyet e dorëheqjes si trajner. “Vendosa të mos jem më trajner i Vllaznisë për t’i hapur rrugë dikujt tjetër për ta bërë ndoshta më mirë këtë detyrë. Unë nuk kam thënë në asnjë moment se nuk besoja tek futbollistët që kisha në dispozicion, por vendosa të dorëhiqem në mënyrë që ky veprim të vinte në lëvizje drejtuesit e klubit sepse më duket se ka përgjumje. Ka patur një ftohje dhe kjo është e pashpjegueshme sepse Vllaznia nuk është e imja dhe as e këtyre lojtarëve. Është e të gjithëve dhe të gjithë duhet të mendojnë për të. Nuk jam i përjetshëm aty. Nëse dikush mendon se mund të ketë të tjerë që e bëjnë më mirë detyrën e drejtorit sportiv të Vllaznisë, jam gati të hap krahun. E rëndësishme është se nga Vllaznia nuk më heq kush dhe asnjëherë”-ka thënë Grima për “Sot Sport, duke e mbyllur se në klub shumë gjëra nuk funksionojnë. “Kemi mbyllur gjysmën e parë të sezonit dhe askush nuk di gjë të thotë se çfarë do të bëhet në janar. Askush nuk e di se kush do të jetë trajneri, askush nuk e di a do të zhvillojë jashtë vendit stërvitjen dimërore kjo skuadër, e po ashtu, nuk dihet nëse do ketë lëvizje në merkato apo jo. Bordi i ri do të zhvillojë mbledhjen e tij të parë në muajin janar!!! Në janar do të jetë shumë vonë sepse situata në fakt është alarmante tek Vllaznia”-ka përfunduar Grima.

Artikulli paraprakPRESIDENTI TURK, SHMANG VETËVRASJEN E TË RIUT
Artikulli tjetërSERBI, 79 TË ARRESTUAR MES TYRE EDHE ISH MINISTRA