
Gripi i Shpendëve ka prekur edhe Shkodrën. 70 krerë pula janë asgjesuar rreth një javë më parë në njësinë Dajç pasi kanë rezultuar pozitive ndaj gripit të shpendëve. Lajmin e bëri të ditur Prefektja e Qarkut Shkodër Majlinda Angoni gjatë një takimi me drejtues rajonal të bujqësisë, Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe bashkisë Shkodër.
Tregtimi i shpendëve dhe kafshëve të tjera të gjalla nuk lejohet të bëhet në mënyrë informale shprehet Majlinda Angoni dhe të gjithë ata që do të evidentohen duke tregtuar në rrugë apo vende të tjera të papërcaktuara do të ndëshkohen.
Në Shkodër ka vetëm një rast të konfirmuar të gripit të shpendëve ndërsa janë bërë kontrolle në 9 pikat e tjera të tregtimit të shpendëve në Shkodër, për shpendët, vezët apo produktet e mishit duke rezultuar negative.