
Drama sociale “Gruaja me sirtarë” e Teatrit “Aleksandër Moisiu”, me regji të Suela Bakos, u prezantua në skenën e Teatrit “Migjeni”, si pjesë e edicionit të parë të “Gjegju Fest”. Teksti i autores Anisa Markarian sjell rrëfimin e Vesës, një gruaje të përballur me trauma dhe dhunë, e cila për vite ka mbajtur të fshehur një sekret që i ka shënjuar jetën.
Regjisorja theksoi se shfaqja synon të nxisë reflektim mbi plagët e heshtura që shoqëria shpesh i anashkalon.
Ajo shtoi se arti mbetet një prej formave më të forta për të sjellë në vëmendje histori që zakonisht nuk marrin zë publik.
Në skenë, aktorët Mimoza Marjanaku dhe Romir Zalla ndërtuan një interpretim emocional, të mbështetur nga muzika e Kiara Jubës dhe skenografia që pasqyroi tensionin dramatik të veprës. Festivali “Gjegju Fest” vijon deri më 2 dhjetor, duke e vendosur Shkodrën në qendër të ngjarjeve të teatrit me theks mbi temat sociale.






