Është rënduar bilanci i viktimave të dhunës që shkaktoi grushti i dështuar i shtetit në Turqi. Të dhënat e fundit flasin për rreth 300 persona të vdekur.

Sipas një zyrtari të lartë të policisë, mes tyre llogariten 41 oficerë policie, 2 ushtarë, 47 civilë dhe 104 persona të tjerë të cilësuar si komplotistë; ndërsa të plagosurit janë mbi 1.400. Ndërkohë, janë 2.893 ushtarakët e arrestuar gjatë ditës nga autoritetet turke. Mes tyre figurojnë edhe 2 gjeneralë të lartë të Forcave të Armatosura. Ndërsa organizmi shtetëror turk që ka nën kontroll gjyqtarët dhe prokurorët shkarkoi nga detyra 2.745 funksionarë në të gjithë vendin. Lajmin e bëri të ditur agjencia “Anadolu”, sipas të cilës vendimi u mor në një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Lartë Gjyqësor, këtë të shtunë. I njëjti burim shtoi se mbledhja kishte si qëllim marrjen e masave disiplinore ndaj gjyqtarëve të dyshuar për lidhje me figurën fetare myslimane Fethullah Gulen, që jeton në SHBA dhe që është akuzuar për nxitje të grushtit të dështuar.